Komisioni i ankesave ulë dënimin për Basri Sejdiun, Agron Qerimin dhe Luljeta Durmishi- Maqedoncin

Tre kardiologët invaziv të Klinikës së Kardiologjisë invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 16 shtator të këtij viti janë dënuar nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së pasi që tre muaj më parë kishin folur në emisionin “Nën Vëzhgim” në RTK dhe që sipas, drejtorit të Kardikirurgjisë me Kardiologji Invazive, Rifat Brahimaj, të tre kishin diskredituar imazhin e institucionit dhe kishin humbur besimin e qytetarëve.

Kardiologu, njëherish ish drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, dhe kardiologu invaziv, Agron Qerimi u dënuan për mos ngritje në pozitë dhe mos ngritje në pagë për pesë vite, ndërsa kardiologia Luljeta Durmishi – Maqedonci, ishte dënuar me ulje të pagës për 40% për gjashtë muaj me radhë.

Duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë e të pabazuar kardiologët kishin adresuar ankesën e tyre tek Komisioni Disiplinor i Ankesave në ShSKUK.

Më 14 shtator 2021 komisioni i ankesave i cili kryesohet nga Nazmi Kolgeci, mori vendimin që të ulë dënimin e tre kardiologëve, dënimin për mos ngritje në pozitë dhe mos ngritje të pagës ndaj Sejdiut dhe Qerimit nga pesë vite është ulur në tre vite, ndërsa për Durmishi – Maqedonci dënimi është për ulje të pagës për 40% nga gjashtë muaj është ulur për tre muaj.

“I kemi kolegë dhe ne vet kemi dasht me ua zbutë dënimin prej pesë në tre vite e kemi ulë ata nëse bojnë ankesë tjetër në bazë të ankesave e shohim se çfarë po bëjmë. Edhe Luljetës nga gjashtë muaj dënimi i është bërë tre muaj”, tha për KALLXO.com Nazmi Kolgeci kryesuesi i komisioni të ankesave.

Tendencioz, të padrejtë, të pabazuar dhe me motive hakmarrëse e quan dënimin për mos ngritje në pozitë kardiologu invaziv Agron Qerimi.

Ai në një prononcim për KALLXO.com thotë se në të gjithë këtë ka “gisht” edhe drejtori gjeneral i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi si dhe kryetarja e bordit, Agreta Gecaj.

“Janë bërë përplotë shkelje të konventave ndërkombëtare, kushtetutes dhe ligjit për mbrojtjen e Sinjalizuesve. Mandej, aty ka gisht edhe drejtori i SHSKUK-se, dr.Valbon Krasniqi, dhe Bordi i ShSKUK-së, me dr.Agreta Gecaj”, thotë ai.

“Besojmë ende se organet e rendit dhe të drejtësisë të zbardhin gjithë këto keqpërdorime, mjekët e klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive do të jenë dëshmitar, dhe nuk lejojmë për asnjë ndëshkim apo kërcënim që na bëhet t’i heshtim këto dëme që po i bëhen kryesisht pacientëve tanë”, shprehet tutje.

Në lidhje më këtë deklaratë KALLXO.com ka telefonuar kryesuesen e bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi e cila thotë se nuk ka të bëjë fare më këtë proces.

“Absolutisht unë si kryesuese e bordit, por as një anëtar i bordit nuk është përzi në këtë proces. Nuk ka të bëjë me neve absolutisht”, shprehet ajo.

Ajo sqaron se vetëm në raportet e auditimit ka pasur raste kur kanë kërkuar të zbatohen dhe të marrin masa ndaj personave të caktuar e për të cilën kryesuesja thotë se ka persona të cilët nuk janë dënuar pasi që komisioni ka vendosur t’i shpallë të pafajshëm.

Ndërsa, telefonatave të KALLXO.com nuk i është përgjigjur drejtorit i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Kardiologu, Basri Sejdiu nuk ka dashur të komentoj asgjë për dënimin e Komisionit Disiplinor pasi që ai ka rekomanduar të flet vetëm avokati i tij Florim Shefqeti, pasi që ai tashmë është duke u marrur me këtë vendim.

Në anë tjetër, avokati Shefqeti thotë se komisioni e ka aprovuar pjesërish ankesën e tyre si dhe vendimi për dënim nuk është asesi i drejtë.

“Komisioni për ankesa e ka aprovu pjesërisht ankesën. Një vendim i tillë nuk është asesi i drejtë”, thotë Shefqeti.

KALLXO.com poashut ka telefonuar edhe Kardiologën Luljeta Durmishi – Maqedoncin por e njëjta nuk kishte qasje.

Në anën tjetër, drejtorit i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Rifat Ibrahimaj, thotë se të tre kardiologët e kanë thyer rregulloren dhe, sipas tij, e kanë sharë institucionin në të cilin punojnë gjë e cila, sipas drejtorit, ka pasoja në ulje të besimit tek pacientët.

”Është një dokumente, është një rregullore ku ndalohet e kanë thy rregulloren i kam procedu më tutje. Unë e kam respektu një rregullore të cilën vet kur ka qenë drejtor Basri Sedjiu e ka procesue që kërkush nuk guxon të flas në emër të institucionit e aq më pak të shaj institucionin pa pasë një leje paraprake koordinim. Paramendojeni kur del dikush me sha institucioni  ku vet punon çfarë besimi munden me pas pacientë”, tha ai për KALLXO.com.

Sa i përket mos dënimit të njejtë edhe për kardilogën Luljeta Durmishi – Maqedoncin, Brahimaj thotë se deklarata e saj ka qenë më  “e butë’ në krahasim me dy kardiologët, Basri Sejdiun dhe Agron Qerimit.

“Deklarata e zonjës ka qenë më e butë, ndërsa këta e kanë sharë hapur menaxhmentin ku punojnë, kanë shkaktu prishje të imazhit kanë shkaktu frikë tek pacientët, kanë shkaktu dezinformim dhe është komplet e papranuaeshme, ky është mendim i imi personal, ndërsa në aspektin ligjorë kanë vepruar kundër rregullores”, thotë ai.

Udhëzuesi për mbrojtje të sinjalizuesëve

Më tetë nëntor 2019, në kohën kur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ishte nën udhëheqjen e Basri Sejdiut, ishte formuar udhëzuesi për mbrojtje të sinjalizuesëve.

Në pikën 4.2 “Shqetësoheni se sinjalizuesi do të dal në media”, thuhet se sinjalizimi fillon me njerëzit të cilët flasin me eprorët e drejtëpërdrejtë dhe në rastet kur sinjalizuesi nuk merret seriozisht apo ndjen pasoja negative atëherë i mundëesohet të raportojë shkeljen tek një agjenci qeveritare.

Në udhëzues poashtu thuhet se, “Bërja e shkeljeve publike në media është pothuajse gjithmonë masa e fundit”.

“Nëse dikush bën një raport të brendshëm, kjo tregon se ata ende kanë besim tek institucioni. Nëse institucioni nuk përgjigjet në mënyrë të drejtë dhe profesionale, personi do të humbasë besimin tek institucioni dhe mund të raportojë jashtë institucionit në një agjenci qeveritare ose në media”, thuhet poashtu në këtë udhëzim.

Foli për media, dënohet mjekja me 40 për qind të pagës