Bashkim Ramosaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bashkim Ramosaj komenton mesazhin e Daut Haradinajt

I pari Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, më 19 gusht bëri një njoftim në Facebook për takimet që pritej t’i mbante rreth punimeve në rrugën Deçan-Plavë, pasi ishin ndërprerë ato.

Por, bashkëpartiaku i tij nga AAK, Daut Haradinaj, nuk u pajtua me atë që njoftonte Ramosaj.

“Kryetar ti je i thirrur për të punuar e jo për takime për tu marrë vesh për takime. Rruga duhet për ty kryer Kryetar është n’të drejtën tonë dhe të mirën e Manastirit”, shkruante Haradinaj.

E për mesazhin e tij ka folur kryetari i Deçanit në emisionin “Jeta në Komunë”.

“Besoj që është një mesazh që ia vlen për momentin dhe kohën kur është thënë, sepse sikur unë mbeta vetëm në krejt këtë përpjekjen, ia nisën njerëzit me u frikësu ngapak me atë që unë po e bëj dhe u nisën me u dorëzua para një sfide para një sfide që nuk është sfidë realisht”, tha Ramosaj.

Ai ka thënë se mesazhin e Haradinajt e ka kuptuar si mbështetje.

“Këtë mesazh unë e mirëkuptova nga ana e deputetit Haradinaj si njëfarë lloj mbështetjeje edhe njëfarë lloj obligimi për institucionet qeveritare sepse mua nuk ma ka ndalë punën kërkush, ma ka ndalë Qeveria e Republikës së Kosovës”, është deklaruar ai.

Bashkim Ramosaj ka folur edhe për shumë çështje të tjera gjatë mandatit trevjeçar në krye të Komunës së Deçanit.