Foto: BQK

Banka Qendrore e Kosovës e mirëpret vlerësimin e FMN-së

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njofton se ka mirëpritur vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të konsultave të Artikullit IV me Kosovën për vitin 2021.

FMN ka vlerësuar se vendimi i BQK-së për të hequr gradualisht masat mbështetëse të lidhura me pandeminë në vitin 2021 ishte i justifikuar.

Ndërkohë që sistemi financiar në përgjithësi, ka mbetur i qëndrueshëm dhe rritja e kredive joperformuese pritet të jetë e kufizuar, forcimi i monitorimit të rrezikut kreditor është thelbësor për të siguruar që provizionet në banka pasqyrojnë ndryshimin themelor në kualitetin e mjeteve dhe se nivelet e kapitalit janë të mjaftueshme për të absorbuar humbjet, si dhe për të vazhduar aktivitetin kredidhënës.

Sipas BQK-së, kapaciteti i autoritetit mbikëqyrës për të vlerësuar kornizën e humbjeve të pritura kreditore të institucioneve të rregulluara në kontekstin e zbatimit të SNRF-9 duhet të vazhdojë të përmirësohet.

Më tej thuhet se rifillimi i funksionimit të bordit mundëson zbatimin e rekomandimeve të dhëna.

“Rifillimi i funksionimit të Bordit të BQK-së do të mundësojë zbatimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe Vlerësimit të Masave Mbrojtëse, duke siguruar që funksioni i stabilitetit financiar të raportojë drejtpërdrejt te Bordi Ekzekutiv”, thuhet në njoftim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), së fundmi vlerëson se ekonomia e Kosovës po rikthehet nga recesioni i saj më i thellë i dekadës, e nxitur nga normat e përmirësuara të vaksinimit, lëvizshmëria e përtërirë, veprimet e politikave dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga diaspora. Pas tkurrjes me 5.3 për qind në vitin 2020, PBB-ja reale u parashikua të rimëkëmbet me 7.5 për qind në vitin 2021.

Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, ekonomia e Kosovës për sivjet pritet të rritet për 3.8 për qind.

FMN – Ekonomia e Kosovës sivjet pritet të rritet 3.8%