Ilustrim

Banka Botërore parashikon rënie të ekonomisë kosovare deri në 4.5%

Ekonomia e Kosovës mund të pësojë rënie deri në 4.5% pas situatës së krijuar me pandeminë e COVID-19.

Kështu ka njoftuar Banka Botërore,  e cila  prezantoi një raport mbi ndikimet e COVID-19 në ekonomi. Ata kanë paraparë skenarët e mirë dhe më të këqinj të pasojave të pandemisë.

“Rritja rajonale në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë në mes të -3 dhe -5.6 për qind, sipas publikimit të fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore – i cili shqyrton skenarin bazë dhe skenarin më pesimist. Skenari bazë supozon se masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit dhe rimëkëmbja graduale të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020. Skenari më pesimist supozon se shpërthimi do të zgjatet dhe masat frenuese do të mund të hiqen vetëm në fund të gushtit, me rimëkëmbje të aktivitetit ekonomik vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020”, thuhet në njoftimin e Bankës Botore Kosovë.

Skenari bazë për Kosovën sipas BB-së parasheh një rënie ekonomike por ngritje në vitin e ardhshëm.

“Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020 (skenari bazë), e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora. Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme”, thuhet tutje në njoftimin e Bankës Botërore.

Në raport gjithashtu theksohet angazhimi i qeverisë së Kosovës për tu përballur me krizën pas COVID-19.

“Për shkak se Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale (depozita të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik), ajo tani ka pak hapësire fiskale për të zbutur efektet e pandemisë, megjithëse kjo hapësirë është e kufizuar nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse. Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave”, njofton Banka Botërore.

Sipas Bankës Botërore, masat e marra si pako emergjente për ekonominë është vendimtar për të zbutur ndikimin e menjëhershëm të pandemisë.

“Përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura. Shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët mbetet vendimtar për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm në ekonomi, varfëri dhe shoqëri”, thuhet në njoftim.

Rritja rajonale në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë në mes të -3 dhe -5.6 për qind, sipas publikimit të fundit…

Publiée par World Bank Kosovo sur Mercredi 29 avril 2020