Foto: Mefail Bajqinovci - Facebook

Bajqinovci: Për gjendjen në Telekom janë fajtor Policia e Krimeve Ekonomike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci në debatin i cili po bëhet në Kuvedin e Kosovës, për gjendjen në Telekom, ka fajsuar edhe Policinë e Krimeve Ekonomike për moshetim të këtij rasti.

“Nuk janë fajtor veq politikanët, janë fajtor edhe policia e krimeve ekonomike, qe 20 vjet e përcjelli këtë institucion dhe çka ndodhë, bëjnë dhjetra filma duke bërë bastisje duke bërë hetime, duke qëndruar në zyre të drejtorëve, dhe në fund veq kur ndëgjon një polic i krimeve ekonomike ju punësu gruaja, ,një komandati ju punësua familja, një deputeti ju punësua gruaja”, ka thënë Bajqinovci.

Ai tutje duke folur për gjendjen në Telekom ka pyetur qeverinë se kush është Devolli.

“Kush është Devolli që po tuteni kaq shum prej tij, pse ai krejt me pas shtetin në dorë, çka është kjo punë”, u shpreh Bajqinovci.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.