Bajqinovci: Kriminelët në veri frikën më të madhe e kanë nga Njësia Speciale e Policisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kriminelët në pjesën veriore të Kosovës frikën më të madhe e kanë nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, këtë e ka kuptuar nga banorët lokalë të veriut.

“Serbët lokalë kanë kërku, kur kam bisedu, që të ketë më shumë organe ligjzbatuese, në këtë rast Policia e Kosovës, por qysh e kam pa unë, kriminelët e veriut frikën më të madhe e kishin nga Njësia Speciale. Vendorët më kanë tregu se frikën më të madhe e kanë prej tyre, prej policisë së thjeshtë as që ekzistojnë për ta, ndërsa Njësia Speciale janë frika më e madhe për kriminelët”, ka thënë Bajqinovci.

Sipas tij, që të shtrihet kontrolli në veri dhe të integrohen banorët lokalë duhet të ketë prani më të madhe të institucioneve atje.

“Ndoshta duhet të ketë prani më të madhe të policisë në veri, është mirë që inspektorati ka mbyllë farmaci në veri. Institucionet duhet të jenë më të pranishme atje”, tha ndër të tjera deputeti Bajqinovci.