Prokuroria: Zjarri në veturën e deputetit Bajqinovci, pasojë e defekteve në sistemin elektrik

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka dhënë detaje në lidhje me djegien e makinës së deputetit të Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, që ka ndodhur me datë 22 shkurt të këtij viti.

“Pas ekzaminimit të hollësishëm nga grupi i ekspertëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është konstatuar se deri te shpërthimi i zjarrit në këtë automjet ka ardhur si pasojë e defekteve në sistemin elektrik të furnizimit me rrymë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka thënë se për sqarimin e rrethanave të rastit rreth shkakut të zjarrit, është bërë super ekspertizë.

Sipas njoftimit, problemet me sistemin elektrik kanë ardhur si pasojë e lidhjes së shkurtë izoluese të shtesës mbrojtëse të përçuesve.

Prokurorja e çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e hetimeve, në drejtim të veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, njofton Prokuroria e Kosovës.

I digjet vetura, Mefail Bajqinovci jep detaje