Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, mohon të jetë shkarkuar nga Agim Bahtiri
Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në disa shkolla në komunën e Mitrovicës së Jugut është bërë mollë sherri ndërmjet të parit të kësaj komune Agim Bahtirit dhe drejtorit të arsimit Ismet Ferizi.
Lidhur me këtë disa media lokale në Mitrovicë sot kanë raportuar se drejtori i Arsmit ishte shkarkuar.
Kallxo.com ka kontaktuar më drejtorin Ismet Ferizi dhe e ka pyetur lidhur me këto pretendime mirëpo ai ka thënë se nuk është shkarkuar.
Sipas Ferizi ka pasur një diskutim me kryetarin e komunës Agim Bahtiri rreth komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në këtë komunë, por se sipas tij, nuk ka marr ndonjë vendim të shkruar se është shkarkuar nga detyra siç është raportuar.
“Është e vërtet që e kemi pasur sot një bisedë me kryetarin ku e kemi prezantuar raportin për zgjedhjen e drejtorëve nga Komisioni i Arsimit që është zgjedh nga kuvendi dhe aty ka pasur disa mosmarrëveshje rreth atij raporti, por ai raport është i komisionit…definitive ende nuk ka asgjë. Të hënën mbetet me këqyr, nuk kam marr kurgjo, kështu vendim të shkruar ose diçka, mirëpo qëndrimi im është me shku kandidatët që i ka përzgjedh komisioni profesional i votuar prej kuvendi“, tha Ferizi.
Ai ka shtuar se biseda të cilën e kishte pasur me Bahtirin rreth komisionit kishte qenë jo shumë e “këndshme“ pasi kishte pasur mospajtime rreth kandidatëve të cilët ishin përzgjedhur nga komisioni i kuvendit.
Agim Bahtiri javën e kaluar kishte shkarkuar nga detyra edhe drejtoreshën e Mirëqenies Sociale në këtë komunë.