Avokati i familjes Dehari i kërkon prokurorisë të jetë prezent gjatë intervistimit të Ministres Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar dje se do të intervistohet nga prokuroria e shtetit në cilësinë e dëshmitares për rastin e Astrit Deharit.

Avokati Tomë Gashi ka kërkuar nga prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, që të njoftohen për kohën e intervisitmit, në mënyrë që të jetë prezent edhe ai, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari.

Kërkesën e tij drejtuar prokurorit, avokati Gashi e ka publikuar në profilin e tij në Facebook.

“Në cilësi të avokatit – përfaqësuesit juridik të familjes Dehari, kërkoj nga ju që të më njoftoni lidhur me datën dhe orën kur do të intervistohet Ministrja znj. Albulena Haxhiu, ngase dua të jem prezent në intervistim” – ka shkruar Gashi në kërkesën e tij.

Në postimin e tij, Gashi ka shkruar se prokuroria ka kryer shumë veprime pa prezencën e tij.

“Prokuroria ka kryer shumë veprime pa prezencën time, ka bërë rekonstruimin e vendit të vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, ka marrë në pyetje deputetin Haki Abazi. Tani të shohim se si do t’i përgjigjet kësaj kërkese Prokuroria” – ka shkruar Tomë Gashi.

Ai po ashtu ka thënë se prokuroria është në luftë me të vërtetën dhe tani kërkon ta marrë në pyetje ministren e Drejtësisë, e cila siç thotë ai, ‘që 7 vite kërkon vetëm drejtësi për vrasjen e Astrit Deharit’.

Në shkresën e Prokurorisë Speciale të publikuar nga vetë ajo shkruhet se Policisë së Kosovës, rreshterëve respektiv i jepet autorizim për ta intervistuar Albulena Haxhiun.

Më tutje në shkresë kërkohet që e njëjta të sqarohet lidhur me postimin e saj në rrjetin social “Facebook” dhe në medie tjera publike të datës 5 nëntor 2023.

“Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast…” si dhe, “Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj, i mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”.

Prokurori i shtetit Afrim Shefkiu ka kërkuar që Haxhiu të sqarohet se cilat janë provat të cilat i ka përmendur dhe kush janë kryerësit e veprës penale sipas saj.

Publikimit të kësaj shkrese Haxhiu ia ka bashkangjitur edhe një reagim ku ajo ndër të tjera ka thënë se nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e prokurorit special Afrim Shefkiu.

“Është një gjë e thjeshtë që duhet të dijë një prokuror, ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij” – ka shkruar Albulena Haxhiu.

Haxhiu ia ka kujtuar prokurorit special se me rastin në fjalë po merret prej vitit 2019, por sipas saj, ai ende nuk ka arritur asnjë rezultat lidhur me këtë rast.

Ministrja e Drejtësisë e ka konfirmuar se do të jap dëshminë e saj lidhur me këtë rast.

“Prokurori Shefkiu dhe eprori i tij, nuk mund të na heshtin në kërkesën tonë për drejtësi” – e ka mbyllur ajo.