Taulant Hajdari - Avokat

Avokati Hajdari tregon procedurat ligjore që duhet të ndjekin punëtorët që largohen nga puna pa paralajmërim

Avokati Taulant Hajdari në emisionin “Kallxo Përnime” ka shpjeguar procedurat ligjore që duhet të ndjekë një punëtor i cili largohet nga punëdhënësi pa paralajmërim.

Hajdari ka thënë se largimet nga puna pa paralajmërim janë raste kur punëtorët nuk janë njoftuar paraprakisht.

Ai ka thënë se fillimisht punëtori i larguar para se të marrë veprime gjyqësore duhet të kryejë disa veprime procedurale.

“Në këtë rast duhet të bëjë një ankesë ndaj punëdhënësit, një ankesë në formë të shkruar. Janë veprime procedurale që i paraprijnë veprimeve gjyqësore. Mund edhe në email, qoftë përmes postës. Afati për kthim të përgjigjes është zakonisht 15 ditë, ku në këtë afat duhet të kthejë përgjigje në atë ankesë. Kur refuzohet ankesa atëherë lind afati 30 ditor që të dërgohet padi në gjykatë” – ka thënë Hajdari.

Në emisionin ku po diskutohet për të drejtat e punëtorëve, avokati Hajdari ka thënë se në raste të largimit nga puna, pala mund ta përfaqësojë vetveten në gjykatë, pa avokat.

“Zakonisht procedurat civile mund të përfaqësoj pala vetveten. Padia përpilohet pastaj duhet të bëhet në katër kopje, duhet të bashkëngjiten provat, dorëzohet në gjykatë. Zakonisht kontestet nga marrëdhënia e punës shkohet në gjykatë ku punëdhënësi e ka adresën” – ka shpjeguar tutje ai.

Hajdari ka thënë se lidhur me këto raste, ndihmë juridike punëtorëve u ofron Agjencia për ndihmë juridike falas, ku ata mund të drejtohen.

Ai tutje ka përmendur një rast të cilin është duke e trajtuar, padia për të cilin është iniciuar në vitin 2018 ndërsa deri më tani nuk ka marrë fare trajtim nga gjykata.

“Një rast që e kam, padia për kontest punë për kompensimin e pagave dhe avancim në pozitë është iniciuar në 2018 dhe tani jemi në fundin e 2022-tës dhe nuk ka fare ende trajtim, nuk është caktuar as seanca e parë edhe pse ligji e përcakton që këto raste duhet të trajtohen me prioritet” – ka thënë Hajdari.