Avokati Gashi: Fotografia e hequr nuk është arsye për dhunën që ndodhi në Kuvend

Avokati Tomë Gashi ka thënë se fotografia që është hequr nga zv.kryeministri Besnik Bislimi nga foltorja e Kuvendit nuk është arsye për dhunën që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës.

Bëhet fjalë për fotografinë që u vendos nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në foltoren ku po fliste kryeministri Albin Kurti.

Në këtë fotografi ishte fytyra e kryeministrit Kurti me hundë të zgjatur.

Fotografia më pas u mor dhe u gris nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e kjo bëri që deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, të lagte me ujë kryeministrin e zëvendëskryeministrin, gjë që eskaloi situatën tutje.

“Të gjithë e dimë që dhuna ka filluar nga deputetët e PDK-së në aspektin e dhunës” – u shpreh Gashi në emisionin “Kallxo Përnime” teksa shtoi se dhuna sot sipas tij ka kaluar aq rëndë saqë është dashur të ndërhynte edhe Policia e Kosovës për të ndalur dhunën.

“Dhuna kishte eskaluar në një dhunë brutale dhe shënjestër ishte Albin Kurti pastaj u shndërruan në shënjestër pothuajse të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti” – shtoi avokati.

Tutje ai tha se shihet në video se si sipas tij ministrit të Financave, Hekuran Murati i janë hequr syzat.

“Goditet me ato syza dhe e godasin së paku dy persona të tjerë që janë deputetë të PDK-së” – u shpreh Gashi.

Tutje ai tha se skena të ngjashme janë parë edhe më herët në Parlamentin e Kosovës, duke iu referuar këtu protestave që bënte Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë, por sipas Gashit më herët nuk është parë dhunë fizike.

“Kemi parë gjithçka por për që e ka goditë dikush dikë deri më sot nuk kam pa“ – tha avokati.