Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avdullah Hoti flet pas takimit me Vjosa Osmanin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të hënën paradite e ka mbajtur një takim me ushtruesen e detyrës së presidents së Kosovës, Vjosa Osmanin.

Pas këtij takimi, Hoti deklaroi para mediave se diskutuan mes tjerash edhe për zhvillimet e fundit në vend.

“U dakorduan që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e kësaj situate për të çuar mesazhin e qartë, për të cilin unë jam tepër i interesuar që pavarësisht zhvillimeve politike, proceseve nëpër të cilat kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, ku tash forcat politike duhet të bëhen bashkë për të gjetur zgjidhje”, tha ai.

Hoti shtoi se Kosova duhet të tregojë mature institucionale.

“Të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Republikës së Kosovës për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës edhe me pandeminë, edhe me problemet ekonomike që vijnë si rezultat i pandemisë. Po në veçanti për të dhënë mesazhin e pjekurisë institucionale të shtetit të Kosovës karshi komunikimit të vazhdueshëm që ne kemi me partnerët ndërkombëtar”, shtoi kryeministri.

Vjosa Osmani pasditën e së enjtes së kaluar zyrtarisht ka marrë funksionin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas konfirmimit t ë aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.