Auditori: Regjistrimi i numrit të pacientëve të trajtuar me imunoterapi në 2022 ishte i pasaktë

Regjistrimi i numrit të pacientëve që janë trajtuar me dy nga imunoterapitë më të shtrenjta në Klinikën e Onkologjisë, gjatë vitit 2022 nuk ka qenë i saktë, sipas Auditorit të Brendshëm.

Këto dy terapi, Nivolumab dhe Pembrolizumab përdoren nga pacientët e sëmurë me kancer për luftimin e qelizave kancerogjene.

Për shkak të mungesës së një sistemi elektronik për regjistrimin e këtyre të dhënave, ato regjistrohen manualisht. Në këto të dhëna, Auditori ka gjetur shumë gabime.

Në raportin e auditimit të brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, thuhet se ka pasur raste kur në klinikë është regjistruar që pacientët e kanë marrë terapinë, ndonëse në barnatoren e klinikës ajo terapi ka munguar.

“Duke krahasuar fletëkërkesat nga reparti për ampula, Nivolumab dhe Pembrozilumab dhe protokollet e klinikës, kemi gjetur raste që edhe pse në barnatoren e klinikës mungojnë ampulat e kërkuara nga reparti, në protokoll të klinikës regjistrohet se pacientët kanë marrë terapinë”.

Auditori i Brendshëm ka dhënë tri rekomandime: Funksionalizimin e një sistemi digjital për regjistrimin e të dhënave të pacientëve, përgatitjen e raporteve për numrin e pacientëve të trajtuar me këto imunoterapi dhe në rast të mungesës së barnave, të evidentohet ajo mungesë.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi i pyetur nga KALLXO.com lidhur me këto rekomandime e gjetje, tha se përveç digjitalizimit të të dhënave, e cila varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe menaxhmenti i SHSKUK-së, rekomandimet e tjera veçse i kanë të zbatuara.

“Në mungesë të softuerit të tillë si databazë elektronike e të dhënave, çdo gjë evidentohet manualisht. Një tabelë në MicroSoft Excel e ka përpiluar barnatorja jonë klinike dhe sporteli ku evidenton të dhënat e imunoterapisë dhe disa barnave citostatike me kosto të lartë financiare” – shtoi Kurtishi.

Sipas drejtorit, të gjitha të dhënat e pacientëve nga sporteli deri te kabineti i përgatitjes dhe administrimit të terapisë si dhe te sallat ku merret terapia, evidentohen me përpikëri. Këto të dhëna, Kurtishi tha se regjistrohen në sportel dhe në katër vende të protokollit.

Të dhënat e nxjerra nga Auditori thonë se gjatë vitit 2022, janë trajtuar 44 pacientë dhe janë dhënë 232 terapi me Pembrolizumab.

Ndërsa, me Nivolumab janë trajtuar 70 pacientë dhe janë dhënë 284 terapi, prej të cilëve, një pacientë e kishte siguruar terapinë vetë.

Ky raport u prezantua edhe në njërën nga mbledhjet e Bordit të SHSKUK-së.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi pati thënë se edhe pse sistemi nuk është i digjitalizuar, kjo nuk ua jep të drejtën që të mos mbajnë evidencë. Në këtë rast, ai tha se drejtori i institucionit duhet ta luajë rolin e tij duke treguar autoritet.

Gjatë vitit 2022, Onkologjia është udhëhequr nga tre udhëheqës të ndryshëm, Ilir Kurtishi, Arben Bislimi dhe Ardian Millaku.