Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com

Auditori nuk gjen dëshmi për shërbimet e konsulencës që i pagoi Ministria e Integrimit Evropian

Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2019 për Ministrinë e Integrimit Evropian , nuk ka hasur në specifika që dëshmojnë se janë pranuar shërbimet e konsulencës ndërkombëtare për të cilat ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha ka paguar.

Sipas Auditorit, bazuar në raportet përmbledhëse, aktivitetet kryesore ishin monitorimi i mediave për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, ndërkohë që ky nuk ishte shërbimi i vetëm sipas specifikave të kontratës.

Në raport tutje thuhet se auditori ka testuar gjithsej gjashtë pagesa në totalin prej 172 mijë euro, lidhur me shërbimet e konsulencës ndërkombëtare.

“Dy nga këto pagesa ishin obligim nga kontrata e datës 17.08.2018 në vlerë prej 180,000€ dhe katër të tjera kanë të bëjnë me kontratën e datës 28.03.2019 në vlerë prej 168,000€ ndaj të njëjtit operator”, thuhet në raport.

Në kontratën për shërbime të konsulencës ndërkombëtare për nevojat e MIE-së të nënshkruar më 28.03.2019, sipas nenit 1.2 të kësaj kontrate, auditori thekson se në dhjetë pika janë specifikuar shërbimet që do të kryejë kompania për nevojat e ministrisë.

“Shërbimet janë pranuar nga komisioni përkatës i pranimit. Bazuar në raportet përmbledhëse nga operatori ekonomik të cilat i bashkëngjiten faturës, ne nuk kemi hasur në specifika që dëshmojnë se janë pranuar shërbimet e kontraktuara mbi bazën e së cilës ishin ekzekutuar pagesat mujore”, thuhet në raport.

Nga pagesat e testuara lidhur me shërbimet e konsulencës, auditori thotë se ka vërejtur se këto janë regjistruar me kodin 14320 si shpenzime për informim publik dhe jo me kodin përkatës 13440 shërbime të ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve kompetent informacionet detaje lidhur me shërbimet mund të jenë konfidenciale edhe pse kishin mohuar se kjo kontratë ishte e klasifikuar.

Por ZKA-ja thekson se mungesa e specifikave të qarta dhe të mjaftueshme rreth pranimit të shërbimeve sipas kontratës, rrit rrezikun e pagesave për shërbimet që nuk janë pranuar.

Ministria e Integrimit Evropian gjatë qeverisë së kaluar (2017-2020) është udhëhequr nga ministrja Dhurata Hoxha e cila vjen nga radhët e PDK-së.

Kurse, tashmë  këtë ministri e ka shuar në tërësi qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Në hulumtimin e publikuar në maj të këtij viti, BIRN ka zbuluar se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve