Shkolla "Hasan Prishtina" në Busovatë të Kamenicës - Foto: KALLXO.com

As Gjykata Supreme nuk ua zgjidh ‘hallin’ prindërve të nxënësve të Busovatës

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e prindërve të Busovatës, të cilët kishin kërkuar rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte konfirmuar vendimin e Themelores për refuzim të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit për reformën në arsim në Kamenicë.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin e marrë më 28 maj nga Gjykata Supreme në të cilin kërkesa e prindërve nga Busovata është refuzuar.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e paraqitur nga paditësit-propozuesit, Feim Maliqi, Hasan Maliqi, Pajtim Maliqi, Xhemail Maliqi, Dafil Orana, Granit Orana, Lulzim Orana, Selman Maliqi, Behxhet Maliqi dhe Ilir Maliqi të gjithë nga F. Busavatë, Komuna e Kamenicës kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë”, thuhet në aktgjykim.

Vendimi i Supremes erdhi pas refuzimit të kërkesës së prindërve nga Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit.

Komuna e Kamenicës në shtator të vitit 2019 kishte filluar me reformën në arsim për shkollat e kësaj komune. Kjo iniciativë parashihte mbylljen e disa shkollave dhe transferimin e nxënësve në shkollat me numër më të madh të nxënësve.

Në vendimin e datës 30 gusht 2019,  ndër të tjera ishte paraparë që të mbyllet shkolla ‘Hasan Prishtina’ në Busovatë dhe nxënësit e kësaj shkolle të vijojnë mësimet në shkollën ‘Fan S. Noli’.

Këtë vendim e kishin kundërshtuar prindërit e nxënësve të këtij fshati të cilët Gjykatës Themelore  i kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje, pasi që të njëjtit për këtë çështje kanë ushtruar edhe padi.

Me vendimin e datës 1 shkurt të këtij viti, Gjykata e Prishtinës ka vendosur që ta refuzojë kërkesën e prindërve për propozimin për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Në arsyetimin e këtij vendimi, të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata ka konstatuar se për t’u aprovuar kërkesa e prindërve duhet të plotësohen dy kushte, ekzekutimi i këtij vendimi do të duhej t’i sillte dëme paditësve dhe shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik.

“Me kërkesën e paditësit, organi akti i të cilit ekzekutohet gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund të shtyjë ekzekutimin deri në vendim definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do ti sillte dëm paditëses, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, as që shtyrja do ti sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”, përcaktohet në nenin 22, par.2 të Ligjit për Konfliktet Administrative, dispozitë në të cilën është bazuar gjykata.

Derisa prindërit nga Busovata dhe Komuna janë duke vazhduar ‘betejat’ e tyre në Gjykatë, ditë më parë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës.

Ky vendim nuk u përkrah nga kryetari i kësaj Komune, Qëndron Kastrati, i cili kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për vendim ‘shkel e shko’.

Kryetari i Kamenicës i reagon ministres Nagavci: Krejt dhe Drejt apo Shkel e Shko?

Mësimdhënësit e fshatrave të Kamenicës mes dy zjarreve, ta dëgjojnë Komunën apo Ministrinë