Shkolla "Hasan Prishtina" në Busovatë të Kamenicës - Foto: KALLXO.com

Mësimdhënësit e fshatrave të Kamenicës mes dy zjarreve, ta dëgjojnë Komunën apo Ministrinë

Vendimi i ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës, ka ‘përplasur’ Komunën, prindërit si dhe mësimdhënësit.

Vendimi në fjalë kërkonte që në bankat shkollore të ktheheshin nxënësit e shkollave për të cilat Komuna kishte marrë vendim të mbyllen për të realizuar ‘reformën’ në arsim.

Nxënësit e paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme, Kopernicë, nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina” në Busavatë, “Asllan Thaçi” në fshatin Karaçevë të Poshtme dhe nxënësit e SHFMU “Xhelal Sopi” në Petrocë, janë kthyer në bankat e shkollave të tyre në të cilat nuk kanë mësuar për më shumë se 1 vit.

Komuna e Kamenicës kishte marrë 3 vendime të ndara për reformën në arsim. Ndaj vendimit për riorganizim të shkollave në Petroc, Topanicë, Karaçevë e Epërme, Karaçevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme dhe Hogosht, 25 prindër të përfaqësuar nga zyra ligjore ABOliver & Associates, me përfaqësuesit ligjorë Alexander Borg Oliver dhe Besim Osmani, kishin ushtruar padi.

Gjykata e Prishtinës dy herë radhazi kishte vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi, mirëpo Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimet e Themelores, duke i dhënë të drejtë për të vazhduar me reformë kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kontrata kolektive të cilën nuk po e ‘përfillin’ mësimdhënësit

Ndonëse vendimi kishte filluar të zbatohet, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka kërkuar nga mësimdhënësit që t’i përmbahen kontratës kolektive të nënshkruar me Komunën.

“Çdokush i cili nuk është i kënaqur me vendin e tij të punës ka të drejtë të vendosë ta lë atë, dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo veprimet në kundërshtim me institucionin i cili është punëdhënësi juaj, janë të pa tolerueshme.  Andaj, nëse Ministria e Arsimit u ka premtuar se do të ju angazhojë në mësimdhënie, ju këtë mund ta bëni. Mirëpo, siç dihet Ministria nuk punëson asnjë mësimdhënës askund në Kosovë në nivelin para fillor, fillor dhe të ulët të mesëm”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Komuna e Kamenicës për zbatimin e reformës në arsim kishte nënshkruar kontratë kolektive me mësimdhënësit të cilët ishin konsideruar si ‘tepricë teknologjike” .

KALLXO.com ka siguruar dy lloje të kontratave të cilat, sipas përgjigjeve të Komunës, i kanë nënshkruar 37 mësimdhënës.

“Me kontratën me kompensim prej 70%  të pagës bazë janë 15 mësimdhënës, ndërsa me kontratën me kompensim prej 100% të pagës bazë janë  22 mësimdhënës. Vlen të përmendet se nga 22 mësimdhënësit që janë me kompensim prej 100%, tre prej tyre veç kanë dal në pension, që i bie se momentalisht janë 19”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Sipas kontratës, kompensimi për këta mësimdhënës do të jetë në periudhë prej 10 viteve.

“Punëdhënësi me rastin e riorganizimit dhe ristrukturimit të institucioneve arsimore në kuadër të organizimit të arsimit para universitar në Komunën e Kamenicës të siguroj kompensimin e të sistemuarit si tepricë teknologjike, në lartësi prej 70 për qind të pagës bazë në lartësi të normës së plotë të punës sipas kategorizimit profesional të të sistemuarit, në kohëzagjatj4e deri në 10 (dhjetë) vite të ardhshme nga sistemimi për shkak të tepricës teknologjike” , thuhet në kontratë.

Kontrata në fjalë ia ndalon mësimdhënësit që të krijojë marrëdhënie të re të punës.

“Gjatë kohës sa është i sistemuar, i punësuari si tepricë teknologjike, i njëjti nuk ka të drejtë të themeloj marrëdhënie tjetër të punës. Në rast të themelimit të marrëdhënies së punës më punëdhënësin tjetër, si dhe në rast të punës në institucione të pa licencuara të arsimit, të sistemuarit do t’i ndërpritet kompensimin i pagës për sistemin si tepricë teknologjike”, thuhet në kontratë.

Nga zyra për media e Komunës së Kamenicës për KALLXO.com kanë thënë se në mësimin e përshpejtuar në 5 shkolla janë angazhuar 50 mësimdhënës, të cilët për shkak të këtij angazhimi janë në komision disiplinor.

“Në mësimin e përshpejtuar janë duke u angazhuar momentalisht rreth 50 mësimdhënës, por që të cilët nuk janë të angazhuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit. Të gjithë ata që janë duke ndjekur mësimin në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, janë në komision disiplinor”, ka thënë ajo.

Ministra lut mësimdhënësit për mësim, SBASHK-u kërkon që t’i përmbahen kontratës

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, në një konferencë për media ditë më parë ka deklaruar se vendimi për mësim të përshpejtuar ka qenë i domosdoshëm.

“Mësimi i përshpejtuar do të jetë deri në fund të muaji korrik, mësimdhënësit janë lutur që të zhvillojnë mësimin e tyre, si ministre e Arsimit kam kërkuar që nëse komuna i ka kërkuar detyra shtesë ata të mos refuzojnë asnjë nga detyrat, por njëkohësisht kam kërkuar që mësimdhënësit të jenë në shërbim të nxënësve të tyre”, tha ajo.

Nagavci e cila një kohë ishte bashkpartiake e kryetarit, Qëndron Kastrati, ka thënë që kryetari nuk mund të kërkojë nga mësimdhënësit që të mos e ushtrojnë profesionin e tyre.

“Besoj që as unë si ministre, e as një kryetar komune nuk duhet të kërkojë nga mësimdhënësit që të mos e ushtrojnë obligimi e tyre në raport me mësimdhënien”, theksoi ajo.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që kryetari Kastrati ka mbajtur fjalën e tij në raport me kontratën kolektive.

“Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati e ka mbajtur fjalën pavarësisht fuzionimit të objekteve shkollore, kalimit nga një shkollë në një shkollë tjetër, nuk ka lënë askënd pa punë”, tha ai.

Jasharaj ka kërkuar nga mësimdhënësit që t’i përmbahen kontratës kolektive të nënshkruar mes tyre dhe Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë, sepse, sipas tij, punëdhënës është Komuna dhe jo Ministria.

“Në bazë të ligjeve ekzistuese, punëdhënësi dhe mësimdhënësit e arsimit parauniversitar është niveli komunal, sepse kontratat e punës i nënshkruajnë drejtori i DKA-së së komunës së caktuar, dhe nëse më pyetni kë duhet ta dëgjojnë punëtoret e arsimit parauniversitar, unë e them atë që është me ligj, duhet ta dëgjojnë punëdhënësin”, theksoi ai.

Kryesindikalisti i arsimit e ka vlerësuar si jo të mirë gjendjen në Kamenicë, duke apeluar nga niveli qendror dhe lokal që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.

“Pres që ministrja Nagavci të mos i lërë mësimdhënësit mes dy zjarreve, por do të duhej t’i shfrytëzojë kompetencat dhe të reagojë, nëse ajo ka kompetenca dhe mundësi që t’i mbrojë mësimdhënësit, pa i ndëshkuar dikush tjetër atëherë le të veprojë, por jo të sjellë një vendim dhe pastaj të mos angazhohet, sepse mësimdhënësit janë në hall kë ta dëgjojnë, kryetarin apo ministren”, tha ai.

Në baze të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, komuna ka kompetenca të plota dhe ekskluzive në çështjen e arsimit.

“Ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit”, thuhet në nenin 17 të këtij Ligji.