Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kamenicë, Gjykata e refuzon edhe kërkesën e prindërve nga Busavata lidhur me vendimin e riorganizimit të shkollave

Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar edhe propozimin e dytë të prindërve nga Kamenica për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës për riorganizimin e shkollave.

Komuna e Kamenicës në shtator të vitit 2019 kishte filluar me reformën në arsim për shkollat e kësaj komune. Kjo iniciativë parashihte mbylljen e disa shkollave dhe transferimin e nxënësve në shkollat me numër më të madh të nxënësve.

Në vendimin e datës 30 gusht ndër të tjera ishte paraparë që të mbyllet shkolla ‘Hasan Prishtina’ në Busavatë dhe nxënësit e kësaj shkolle të vijojnë mësimet në shkollën ‘Fan S. Noli’.

Këtë vendim e kishin kundërshtuar prindërit e nxënësve të këtij fshati të cilët Gjykatës i kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje, pasi që të njëjtit për këtë çështje kanë ushtruar edhe padi.

Me vendimin e datës 1 shkurt 2021, Gjykata e Prishtinës ka vendosur që ta refuzojë kërkesën e prindërve për propozimin për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Në arsyetimin e këtij vendimi, të siguruar nga KALLXO.com, gjykata ka konstatuar se për tu aprovuar kërkesa e prindërve duhet të plotësohen dy kushte, ekzekutimi i këtij vendimi do të duhej t’i sillte dëme paditësve dhe shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik.

“Me kërkesën e paditësit, organi akti i të cilit ekzekutohet gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund të shtyjë ekzekutimin deri në vendim definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do ti sillte dëm paditëses, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, as që shtyrja do ti sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”, përcaktohet në nenin 22, par.2 të Ligjit për Konfliktet Administrative, dispozitë në të cilën është bazuar gjykata.

Sipas po këtij vendimi, Gjykata ka gjetur se paditësi me asnjë provë nuk e ka të besueshme pretendimin e saj se pezullimi i ekzekutimit të vendimit të cilën e kërkon nuk është në kundërshtim me interesin publik, kusht ky ligjor për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

10 prindër nga Busavata kanë kërkuar që gjykata ta vendos këtë masë ndaj vendimit të Komunës së Kamenicës, vendim më të cilin ishte paraparë faza e parë e ‘reformës’ në arsim.

Ky vendim ka prekur edhe shkollat ‘Nuhi Berisha’, ‘7 shtatori’, ‘Idriz Seferi’.

Që nga shtatori i vitit 2019, 96 nxënës nga shkolla ‘Hasan Prishtina’ nuk kanë mbajtur mësim për shkak të kundërshtimit të reformës në arsim.

‘Reforma’ në Kamenicë ishte ndarë në 3 faza të riorganizimit të shkollave.

Edhe për fazën e tretë të riroganizimit, Komuna e Kamenicës dhe disa prindër kishin zhvilluar ‘betejë’ në Gjykatën Themelore dhe atë të Apelit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ‘betejën’ gjyqësore të prindërve dhe Komunës.

Më 6 nëntor, Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim që të shtyjë ekzekutimin e vendimit për fazën e tretë të ‘riorganizimit’ të shkollave në Komunën e Kamenicës.

Deri te ky vendim erdhi pas kërkesës së 25 prindërve nga fshatrat të cilat ishin prekur nga ky vendim.

Të njëjtit i kërkuan Gjykatës së Prishtinës që ta anulojë vendimin e fundit të Komunës së Kamenicës në të cilin parashihej riorganizimi i disa shkollave të fshatrave, Petroc, Topanicë, Karaqevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme, Hogosht.

Ndaj këtij vendimi, Komuna e Kamenicës kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 16 nëntor kishte marrë vendim që ta kthej në rivendosje këtë çështje.

Ndërsa më 24 nëntor Gjykata e Prishtinës për të dytën herë radhazi ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Kamenicës për fazën e tretë të riorganizimit të shkollave.

Ndaj këtij vendimi, Komuna ishte ankuar prap në Gjykatën e Apelit.

Përfundimisht me vendimin e datës 22 janar, Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë Komunë së Kamenicës për të vazhduar me fazën e tretë të reformës.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e 3-të të riorganizimit të shkollave.

Apeli i jep të drejtë Qëndron Kastratit për të vazhduar me reformën e arsimit në Kamenicë