Ragip Begaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimi i Begajt për rrugën e paasfaltuar të Mirushës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në vazhdën e premtimeve të zgjedhjeve të vitit 2017, kishte thënë se brenda vitit 2018 do të asfaltohet rruga për “Ujëvarat e Mirushës”.

Por, pavarësisht këtij premtimi, kjo rrugë ende ka mbetur vetëm me zhavor.

Begaj në emisionin “Jeta në Komunë” ka treguar pse kjo rrugë nuk është përfunduar.

“Unë s’po ia hedhin fajin askujt, por megjithatë problemet që kanë ndodhur me rrugën ka qenë një projekt i bashkë financuar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën, operatori ekonomik i pa përgjegjshëm, e ka kryer punën me zhavorrin dhe punë të tjera dhe pastaj ka ardh puna të asfaltimi e ka ndërprerë punën dhe s’ka dashtë me vazhdu tutje”, ka thënë Begaj.

Ai shtoi se për operatorin ekonomik kanë bërë kërkesë që të futet në listë të zezë, por se kjo sipas tij, nuk është realizuar.

“Arsyeja pse s’ka dashtë me vazhdu punën, ia kemi ndërpre kontratën për shkak të pa përgjegjshmërisë dhe deri atëherë ai e ka dhënë asfaltin 1 mijë euro për metër katror, ne që fillim e kemi ditë që s’ka me mujt me kry atë rrugë, i kemi bë vërejtje, OSHP ja kemi dërgu për në listë të zezë, por s’është fut”, ka shtuar Begaj.

 

Sonte në serinë e debateve “Jeta në Komunë” është i ftuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj përballë Jeta Xharrës, asamblistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, do të ballafaqohet me premtimet e vitit 2017.

Begaj do të flas për politizimin e arsimit në këtë komunë, drejtorët e shkollave me aktakuza, problemet me ujësjellës e kanalizim si dhe gurëthyesit që operojnë në këtë komunë.

Të ftuar në studio janë: Alban Krasniqi asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Mazreku nga PDK, Nexhat Krasniqi, ish-kandidat për kryetar të komunës dhe Bukurije Rrustemi, aktiviste.

Ndërsa në ZOOM merr pjesë Flutura Zymi, aktiviste e shoqërisë civile.