Jeta në Komunë, Kamenicë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kamenica me objekt të gjinekologjisë, por pa gjinekolog

Pak muaj më parë në Kamenicë është përuruar objekti i ri i gjinekologjisë por që në këtë objekt qytetarët nuk po mund të marrin shërbime, kjo për shkak që Kamenica nuk ka gjinekolog.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë, ka thënë se është bërë zgjidhje për të ofruar kontrolla tri herë në javë nga katër orë.

“Për herë të parë Komuna e Kamenicës është që ka arritë me e zgjedh problemin se qysh me ofru kontrolla në shërbime gjinekologjike, ku jena marrë vesh me SHSKUK-në, kena bo marrëveshje ku fillimisht fillon me tri herë në javë me nga katër orë dhe varësisht prej nevojës ajo ka me u rritë. Për momentin për shkak të pandemisë Ministria e Shëndetësisë i ka ndalë shërbimet tjera nuk është funksionale, por shumë shpejtë besoj që ka me u kthy edhe ndihem krenar që jem komuna e parë dhe e vetme që kemi arritë me e bo një zgjidhje”, ka treguar i pari i Kamenicës.

Kastrati ka thënë se kanë me ofru shërbimin gjinekologjik, por nuk do të munden që të kryhen lindjet në objektin e ri të gjinekologjisë në Kamenicë.

“Shërbimin gjinekologjik kena me ia ofru, sepse legjislacioni parasheh që kujdesi parësor shëndetësor nuk mundet me kry lindje aty, për faktin se nuk ka qendër të transfuzionit të gjakut edhe në momentin e komplikimeve me bërë intervinime kirurgjike”, ka thënë Qëndron Kastrati.

KALLXO.com, ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rogoqic më 14 tetor. Tualetet në këtë QMF, janë në gjendje të keqe, nuk ka sapun për t’i larë duart në kohë pandemie.

Kastrati ka thënë se kanë kontratë me agjensionin qëndror të prokurimit për t`u pajisur me pajisje për Qeëndrat Familjare.

“Tani unë për këtë me i thirrë në përgjegjësi varëtësit që e kanë përgjegjësinë për një gjë të tillë dhe me e pa se ku kanë ngec sistemi. Nuk është problemi i parave, kemi kontratë. Janë kontratat me agjensionin qëndror të prokurimit. Veç duhet organizim më i mirë, tani janë personat pergjegjës që i kanë këto përgjegjësi. Unë po iu falënderoj shumë juve dhe i inkurajoj shumë qytetarët që të na drejtohen neve, në veçanti drejtorive edhe mua si kryetar kur ka ngecje të tilla se ktu është veç neglizhencë”, ka thënë Qëndron Kastrati.

I pari i Kamenicës, ka treguar se përse është mbyllur ambulanta e fshatit në Hodonoc, të cilët e shfrytëzimin edhe banorët serb të këtij fshati, e tani janë të detyruar me shku në Ranillugë, kurse qytetarët shqiptarë në Roganë.

“Është me rëndësi me e theksu që nuk e kena mbyll asnjë ambulantë, ka shumë ambulanta në Komunën e Kamenicës. Ne duhet me i rregullu shërbimet mobile sa më shumë, nëse ki territor shumë të madh dhe të shpërndam, shërbimin duhesh me ia ofru atyre të shpia, nëse kanë nevojë edhe nëse nuk i kanë mundësitë. Në anën tjetër në raport me këtë çka është tu ndodh për hirë të pandemisë dhe stafit, ne ku kemi pasur të infektuar dhe krejt tjera është dashtë me i optimizu dhe organizu sa më mirë shërbimet në mënyrë që shërbimi mobil me qenë sa ma mirë dhe efikas i mundshëm, ndërsa shërbimet e tjera është dashtë përkohësisht me i pezullu”, ka thënë Qëndron Kastrati.

 

Në debatin ‘Jeta në Komunë’, Kastrati do të sfidohet me problemet që i ka shkaktuar riorganizimi i shkollave, mungesën e ujit, mungesën e kanalizimit, problemet e komunitetit serb si dhe problemet në shëndetësi.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’ Kastrati do të pyetet për rrëshqitjen e dheut në Kamenicë, problemet me kanalizim në Topanicë, mungesën e ndriçimet për banorët serb në Hodonoc.

Në fund të emisionit do të transmetohen dy storie suksesi në Kamenicë, atë të fotografit Arian Mavriqi, që po promovon kafshët shpendët dhe bukuritë e rralla të vendit tonë, e poashtu do transmetohet reportazhi për familjen Krasniqi, e cila kërpudhat e shijshme të rritura në Kosovë po i eksporton nëpër Evropë.

Përveç Kastratit në studio do të jenë të pranishëm asamblistët Besnik Rrudhani – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Afrim Dërvishi-  Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa përmes zoom do të jenë të kyçur: Lavdim Klaiqi, pjesëtar i shoqërisë civile në Kamenicë, Besim Osmani, përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë dhe Arsim Thaçi – mësimdhënës.