Arrijnë në Kosovë donacioni i UNICEF me 1.5 tonë pajisje mbrojtëse

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka njoftuar se ka siguruar 1.5 tonë paisje mbrojtëse për Kosovën, me fonde të Zyrës së Luksemburgut.

Sipas njoftimit, sot ka arritur në Prishtinë dërgesa e dytë me furnizime të UNICEF-it, rreth 8 mijë e 900 mantele kirugjike, për ta mbështetur reagimin e sistemeve shëndetësore ndaj pandemisë COVID-19.

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se “Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19. Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë vuajnë në mënyrë disproporcionale nga COVID-19”.

Që nga fillimi i përhapjes së coronavirusit, UNICEF-i ka ofruar 36,200 dorëza, 33,600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 17,860 mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometer infra red klinik si mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë.