Arrestohet një person, u kap me 6 paketime drogë në veturë - FOTO

Hetuesit policor për Trafikimin me Narkotik kanë arrestuar një person në makinën e të cilit u gjetën gjashtë paketime me substancë narkotike të llojit heroinë.

Përmes një komunikate policia bënë të ditur se i dyshuari është zënë në fshatin Komoran, rruga nacionale Prishtinë-Pejë, derisa narkotikët ishin gjetur gjatë kontrollit në bagazh, te rrota rezervë.

“Hetuesit policorë të Sektorit Qendror të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar merret me trafikim me lëndë narkotike, sot, më 20.08.2022, në ora 12:00, në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Komoran), kanë ndalur një veturë, pasi dyshohej se më të po kryhej bartje e lëndëve narkotike. Policia gjatë kontrollit të veturës në bagazh, te rrota rezervë, kanë hasur gjashtë paketime me substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit heroinë. Po ashtu janë konfiskuar edhe dëshmi tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policia potencon se ka kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë.

“Policia duke zbatuar procedurat, në koordinim me organet e drejtësisë, ka kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit: I.B., (viti i lindjes 1977). Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e ndaluar”, shton më tej policia.

I dyshuari, sipas policisë, është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”. Me aktvendim nga prokurori të njëjtit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.