Ilustrim.

Arrestohet një person për vetëgjyqësi në Gjakovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje kanë arrestuar një person në Gjakovë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vetëgjyqësi”.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur dje rreth orës 19:00.

“Është arrestuar i dyshuari pasi kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Vepra penale “Vetëgjyqësia” dënohet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Paragrafi i parë i nenit 410 të këtij kodi thotë se kushdo që ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Paragrafi i dytë thotë se kushdo që me anë të përdorimit të forcës apo kanosjes serioze, ushtron një të drejtë që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me burgim deri në 2 vjet.

Ndërsa paragrafi i tretë thotë se nëse vepra penale nga paragrafi i dytë i këtij neni kryhet nga kryesi duke vepruar si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej 5 muaj deri në 3 vjet.