Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

Arrestohet në Shqipëri me qëllim ekstradimi në Itali i kërkuari për vrasje me dashje

Një 45-vjeçar, Edmond Braka, është arrestuar gjatë ditës së sotme pas një operacioni policor të Policisë së Shtetit.

Me anë të një njoftimi Policia ka thënë se Braka ka qenë në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale vrasje me dashje.

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Edmond Braka, 43 vjeç, banues në Fier.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Genovas, Itali, e ka dënuar me 16 vite burgim, për veprën penale – vrasje me dashje.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.