Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në veri

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U. V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviqit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.

Ky është personi i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që kur janë rritur tensionet më 26 maj.

Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.

Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë – për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiq.