Arrestohet 53 vjeçari nën dyshimin se rrahu një 75 vjeçar, viktimës iu konfiskuan tri armë zjarri

Një 53 vjeçar me inicialet A.S është arrestuar pasi dyshohet se ka rrahur një person tjetër dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime trupore.

Viktima S.S, 75 vjeçar është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Stacioni Policor në Ferizaj, nga Drejtoria Rajonale e Policisë njofton se A.S kishte një mosmarrëveshje familjare me viktimën.

“Në lidhje me këtë policia, të dyshuarin A.S e shoqëron në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërkaq rasti mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore”, njofton Policia.

Pas hetimit të vazhdueshëm dhe grumbullimit të disa informacioneve, Policia ka siguruar informacione për viktimën e këtij rasti, që sipas policisë ai posedonte armë ilegale në shtëpi.

Kontrollimi nga Policia, rezultoni me konfiskimin e disa armëve të zjarrit.

“Me vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, rreth orës 20:10, Njësia e Hetimeve bastisë shtëpinë, tani të dyshuarit S.S, ku janë gjetur dhe konfiskuar 3 armë zjarri: një pushkë automatike AK-47 me një karikatorë dhe 23 fishek, një pistoletë me një karikatorë dhe 8 fishek dhe një pushkë gjuetie”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas organeve të rendit, ky rast do hetohet mëtej nga sektori i Njësisë së Hetimeve të Policisë në Ferizaj.