Snajper me laser konfiskohet në Deçan (FOTO)

Një snajper me laser dhe disa armë të tjera, janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Deçan.

Sipas Policisë ditën e djeshme hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, përmes rrugëve operative kanë pranuar një video incizim në të cilin personi i dyshuar kishte postuar në rrjete sociale duke shtënë me armë zjarri.

“Pas një pune operativo-hetimore hetuesit e Stacionit Policor në Deçan kanë identifikuar dhe arrestuar tё dyshuarin”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të arrestuarit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar: 1  pushkë me laser kalibri 7.62 mm, 1 pushkë gjuetie me kalibër 12 mm, 1 tytë e panjohur, 1 dylbi e pushkës, 1 laser për armë, 120 copë fishek të kalibrit 7.62mm, 25  fishek të kalibrit.

Gjithashtu, mbrëmjen e djeshme Policia ka bërë të ditur se në Pejë ka konfiskuar një arsenal armësh, dhe atë në një veturë.

Patrulla e Policisë së Stacionit të Pejës, rreth orës 22:30, të mbrëmjes së djeshme, ka ndaluar veturën me targa vendore dhe pas verifikimit të dokumenteve dhe kontrollit, kanë gjetur disa armë të cilat i ka konfiskuar. Një pushkë automatike të llojit “Zig Zauer”, një karikator të kësaj arme, 1 armë automatike AK 47, 1 karikator për të, 4 fishek të kalibrit 7.62mm dhe 1 sprej OC.

“3 (tre) personat e dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të shtetit 2 (dy) nga ta janë liruar ndërsa personi i tretë është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.