Foto: Ilustrim

Policia sekuestron 15 armë zjarri në ahengje familjare

Policia e Rajonit të Prishtinës ka sekuestruar 15 armë zjarri që nga data 10 korrik, të cilat dyshohet të jenë përdorur në ahengje familjare.

“Si rrjedhojë e veprimeve policore, mbrëmë në fshatin Sharban, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike ‘AK 47’, një karikator i armës ‘AK 47’ dhe 59 gëzhoja fishekëve të kësaj arma”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas PK-së, ky rast është cilësuar si përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm dhe si mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve.

“Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara, të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”, thuhet ndër të tjera.

Policia apelon qytetarët që t’u shmangen veprimeve të tilla për shkak të sigurisë së tyre dhe të tjerëve.