Arrestohen dy serb në Mitrovicë të Veriut për tentim vjedhje

Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut ka arrestuar dy serb rreth orës 02:00 pas mesnatës, pasi i ka kapur në flagrancë në tentim vjedhje.

Sipas njoftimit, Policia ka pranuar informatën se në tregun te ura kryesore, rruga “Kollashini”  Mitrovicë e Veriut, dy persona të dyshuar janë parë duke thyer xhamat e disa kioskave.

“Menjëherë patrulla policore në detyrë nga stacioni policor Mitrovicë të Veriut ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në lokacionin e raportuar, aty janë vërejtur dy personat e dyshuar, mirëpo të njëjtit sapo kanë parë policinë kanë arritur të ikin me shpejtësi nga ai lokacion” – thuhet në komunikatë.

Më tutje, rreth orës 02:30 Policia ka arritur t’i ndalojë të dyshuarit në rrugën ‘Kral Petri’.

Dy personat e arrestuar me inicialet A.R. dhe L.V. janë dërguar në Stacionin Policor të Mitrovicës së Veriut, ndërsa me vendim të prokurorit rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë në tentativë’ dhe të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.