Arrestohen dy persona, policia u gjeti në veturë drogë, peshore e shiringa

Dy persona janë arrestuar nga policia për përdorim të substancave narkotike.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Kravaricë të Komunës së Gjilanit.

Në një pikë kontrolli policia më saktësisht njësiti anti-drogë, kishte ndaluar një veturë të dyshuar.

Në veturë gjendeshin dy persona A. M. 37 vjeçar dhe M. S. 28 vjeçar. Të dy të arrestuarit dyshoheshin se shisnin, blinin substanca narkotike, ndërsa në veturë policia kishte konfiskuar një mori provash materiale.

Fillimisht ishin gjetur një sasi e 101.2 gram heroinë, një pasaportë, 120 euro, 3 shishe metadon, dy shiringa, dy peshore për matjen e substancave narkotike, një grinder, dy folia, një kartele dhe një pjatë për përgatitjen e substancave narkotike, 17 copa tableta të llojit diazepam.

Te i dyshuari i dytë, janë gjetur një qese për paketime të substancave narkotike me 40 copë, një shishe metadon 100 mililitra.

Bastisja është kryer me vendim paraprak të Prokurorit të shtetit për Krime të Rënda.

“Të dyshuarit janë intervistuar ne prezencën e mbrojtësve të caktuar sipas detyrës zyrtare, dhe janë gjete prova të qëndrueshme se ata dyshohet të jenë përgjegjës për veprën në fjalë”, thuhet në raportin e Policisë së Rajonit të Gjilanit.