Gjendja pas tërmetit tragjik në Turqi, Foto: CNN

Arrestohen 40 persona që u përpoqën të vidhnin gjashtë kamionë me ndihma humanitare në Turqi

Policia turke u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes pasi kohët e fundit disa keqbërës po vjedhin shtëpitë e shkatërruar nga tërmeti.

Vetëm gjatë ditës së djeshme u arrestuan 40 persona pasi dyshohet se kanë grabitur shtëpitë e dëmtuara në qytetin e shkatërruar të Hatayt.

U arrestuan gjithashtu dy burra që u paraqitën si punonjës humanitarë dhe që vodhën gjashtë kamionë ushqime të dërguara për viktimat e tërmetit.

Gjatë kontrollit të të dyshuarve dhe automjeteve të tyre u sekuestruan një sasi e madhe bizhuteri, karta bankare, 70 mijë lira turke (3474 euro), 11 mijë dollarë, gjashtë pistoleta, tre pushkë, 20 celularë dhe tetë kompjuterë.

Policia turke ka konfiskuar edhe ndihmat që ky grup kriminal tentoi të vidhte dhe bëri apel për kujdes pasi ka nga ata që tentojnë të arkëtojnë tragjedinë njerëzore në mënyra të tilla dhe të ngjashme.

Ndryshe, Turqia dhe Siria kanë raportuar mbi 24 mijë persona të vdekur pas dy tërmete të fuqishme që goditën këto dy vende. /Telegrafi