Armend Mehaj paralajmëron blerje të armëve nga Kroacia

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar mundësinë e blerjes së armëve nga Kroacia.

Ai përmes një njoftimi në Facebook tha se po qëndron në Kroaci bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Sot takova, homologun tim, Ministrin Kroat të Mbrojtjes, z. Mario Banozic, i cili shprehu falënderimin e tij për pranimin e ftesës për të ardhur në Split, në panairin e njohur, ASDA 2021. Në takim, isha së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla. Në takim diskutuam për potencialin tonë të madh të bashkëpunimit të ardhshëm tekniko-ushtarak”, thuhet në njoftimin e Mehajt.

Përveç blerjeve ushtarake, Mehaj tha se kanë diskutuar edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së përbashkët në operacione paqeruajtëse.

“Takimi konfirmoi lidhjet e forta dypalëshe midis Kroacisë dhe Kosovës, të cilat i kemi ngritur në nivel edhe më të lartë pas takimit të mëhershëm, në prill të këtij viti, në Zagreb. Në këtë takim ripërsëritëm rëndësinë e dialogut strategjik midis dy vendeve në kontekstin e interesit të përbashkët për stabilitetin e Evropës Juglindore”, thuhet tutje në postimin e ministrit të Mbrojtjes.

“Në mes tjerash, u pajtuam për realizimin e marrëveshjes në fushën e blerjeve ushtarake “Shtet me shtet” , për mundësinë e pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta paqeruajtëse, si dhe për Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mes dy ministrive të mbrojtjes, që do të nënshkruhet së shpejti mes nesh, në Prishtinë”, tha ai.

Mehaj njoftoi se kanë diskutuar edhe për situatën në veri të vendit.