Armë të gjata e armë të shkurta u përdorën në konfliktin e mbrëmshëm në Prishtinë

Dy qytetarë kanë mbetur të vdekur nga rasti i djeshëm i gjuajtjes me armë në Prishtinë, derisa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar, derisa dy persona të tjerë janë ende në arrati.

Nga hetimet e para që janë kryer deri më tani, dyshohet se në rast janë përdorur armë të gjata, e armë të shkurta.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë arritur të gjejnë gëzhoja të plumbave që i takojnë armëve të gjata dhe të shkurta.

Ai tregoi se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, e se të angazhuar në rast janë një numër i konsiderueshëm i hetuesve policorë e edhe personave të tjerë kompetent, për të zbardhur rrethanat e këtij rasti, e edhe për të arrestuar dy personat e dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar.

E gjithë ngjarja e këtij incidenti me armë zjarri u zhvillua në mes dy grupeve në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.

Një burrë vdiq dje në vendin e ngjarjes, më 26.03.2024 dhe një grua tjetër vdiq sot, më 27.03.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e këtij incidenti.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G. 48-vjeçare, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj, nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e Policisë më 27.03.2024.

Sipas Policisë, janë në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e forcave të rendit.

 

Vrasja në Prishtinë, ndalohen dy persona