Ministri Sveçla nuk u lejua të hyjë në Serbi, anulohet vizita në Preshevë

Autoritetet e Serbisë nuk i kanë lejuar hyrjen në Luginë të Preshevës, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vet ministri me anë të një statusi në Facebook.

“Më datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z.Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet”- thuhet në statusin e Sveçlës.

Ai ka thënë se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim”- thuhet tutje në statusin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Me këtë veprim Serbia sipas, Sveçlës,  dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”- ka shkruar ministri në Facebook.