Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Aplikimi i Kosovës, një nga pikat kryesore në sesionin pranveror të Këshillit të Europës

Nga 15 deri më 19 prill do të mbahet sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg të Francës.

Ashtu siç e ka cilësuar edhe vetë kjo organizatë ndërkombëtare, debati mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës do të jetë një nga pikat kryesore të këtij sesioni.

“Një debat mbi aplikimin e Kosovës* për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një nga pikat kryesore të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që po zhvillohet në Strasburg. nga 15-19 prill”- shkruan në njoftimin e fundit të KiE më 11 prill.

Miratimi i opinionit për Kosovën nga raportuesja Dora Bakoyanis më 27.03.2024 në Paris i hapi rrugë votimit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili sipas përditësimit të njoftimeve të Këshillit të Europës do të mbahet më 16.04.2024.

Në po atë mbledhje të mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

Pas votimit të suksesshëm më 16 prill, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës. Vendimi final për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pritet të merret në Këshillin e Ministrave gjatë një mbledhjeje që do ta mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përveç debatit mbi aplikacionin e Kosovës, sipas njoftimit të Këshillit të Europës gjatë sesionit pranveror do të ketë gjithashtu një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftën e tij kundër demokracisë”, dhe mbi “arrestimin arbitrar të Vladimir Kara-Murza dhe persekutimin sistematik të protestuesve kundër luftës në Rusi dhe Bjellorusi”, së bashku me një raport të tretë që propozon sanksione të synuara kundër individëve të përfshirë në ndalimin, dënimin dhe helmimin e mëparshëm të Kara-Murza.

Asambleja do të diskutojë gjithashtu mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë një propozim për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse për këtë qëllim, me pjesëmarrjen e kryetarit të Rada Verkhovna të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk. 

Ndër tjera, është kërkuar një debat edhe mbi “rolin e Këshillit të Evropës në parandalimin e një katastrofe humanitare në Gaza”.

Parlamentarët do të diskutojnë gjithashtu për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në internet dhe do të zhvillojnë një debat të përbashkët për marrëdhëniet midis mazhorancës dhe opozitës në një demokraci dhe për praktikat e mira në referendum.

Në këtë sesion, Asambleja do të debatojë edhe për respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria – duke përfshirë një propozim për t’i dhënë fund monitorimit të plotë të këtij shteti anëtar. Kuvendi do të miratojë rendin e ditës përfundimtare në ditën e parë të seancës.