Anulohet vizita e Bernard Kouchner në Kosovë, Ambasada e Francës tregon arsyen

Ambasada e Francës në Kosovë ka njoftuar se për shkaqe logjistike është anuluar vizita e ish-Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner, në Kosovë.

Vizita e planifikuar e Kuochner-it, sipas kësaj ambasade, do të zhvillohet në një datë të mëvonshme.

“Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner. Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Kjo ambasadë ka shprehur keqardhje  për këtë pengesë dhe ka falënderuar Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet që pranuan të takohen me Kouchner gjatë vizitës së tij.

Kouchner ishte Përfaqësues i Lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2001 dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Francës.

Një ditë më herët, më 10.06.2024, Kosovën e ka vizituar ish-kryeministri britanik, Tony Blair, me ç’rast ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, si dhe është takuar me liderët e shtetit dhe me autoritete të nivelit lokal.

Vizita e tij është realizuar me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.