Ankesat në Autoritetin e Aviacionit Civil, raporton drejtori Bujar Ejupi

Lindita Kika- Berisha, Hysa Matoshi, Besnike Ukmata, Albulena Gërxhaliu dhe Leonora Ibraj, punonjëse në Autoritetin e Avoacionit Civil, kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes një letre ndaj drejtorit, Bujar Ejupi, për ‘shkelje të ndryshme dhe diskriminim’.

Për ketë dhe ankesa tjera të punëtorëve, Ejupi sot është thirrë në raportim nga Komisioni për të Drejta të Njeriut.

Përveç Ejupit, për të dhënë anën e tyre para deputetëve që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për të drejta të Njeriut janë ftuar edhe një grup i punëtoreve të AAC-së.

Lindita Kika- Berisha po pretendon se drejtori ia ka marrë përgjegjësitë profesionale të sigurisë pas 17 vjete përvojë pune dhe ia ka kaluar ato një punonjësi tjetër, burrë.

Kika- Berisha pretendon se drejtori Ejupi përmes një vendimi ia ka marrë kredencialet të cilat i mbanë që nga 2007.

Hysa Matoshi pretedendon se përmes një vendimi, drejtori i ka ‘minuar’ përgjegjësitë e saj në vendin e punës.

Besnike Ukmata ishte larguar nga puna përmes një vendimi të drejtorit Bujar Ejupi, KMSHCK kishte vendosur që ajo të kthehet në punë.

Ukmata pas kthimit në punë po pretendon se është përballur me dhunë psikologjike dhe nënçmim.

Kurse, Albulena Gërxhaliu pretendon se nuk e merrë pagën e inspektores përkundër që ajo i ka kredencialet, ndërsa Leonora Ibraj pretendon se nuk i janë lëshuar kredincialet edhe pse ajo ka përmbushur kriteret.

Bujar Ejupi, drejtor i AAC, para anëtarëve të Komisionit Parlamentar tha se ka qarkullime të informacioneve të pasakta.

“Kanë qarkullu shumë informacione të pasakta. Raporti i Avokatit të Popullit në vitin 2021, avokati ka dërgu një shkresë ku ka kërku prej neve me iu përgjigjë pretendimeve nga një grup për diskrimim. Ne kemi kërku të dijmë se për çfarë shkelje po flitet. Pse nuk po promovohen njerëz në pozita të caktume?- kjo ka ardh te na. Ne jemi në zbatim të rregulloreve, vetëm i zbatojmë, kemi pasë ankesa për promovim, ne s`kemi pasë dy vitet e fundit promovime. Nuk ka pasë asnjë buxhet. Ka pasë kërkesa për me u avancu në detyrë, ankesa për promovim janë shumë të mëdha. Gjysa e stafit kanë kërku promovim. Nuk kemi pozita të reja për me e hapë procesin e promovimit dhe s`kemi buxhet të ri. Ka qenë i befasishëm raporti i Avokatit të Popullit. Janë raste që nëse Avokati i Popullit kish kërku informacione raporti s`kishte dal i tillë”- tha ai.

Jeton Koca nga Këshilli i Pavarur tha se ende pa përfunduar viti kanë pranuar rreth 16 ankesa nga Autoriteti i Aviacionit Civil, një institucion me 28 puntorë.

Deputetja Duda Balje tha se kjo nuk është në rregull.

“16 nga 27, këtu ka diçka përderisa njërzit në shtëpi nuk janë të kënaqur. Keni shkelë ligjin? A keni diskriminu njerëz brenda institucionit?”- pyeti Balje.

“Kemi një rast kur në vitin 2014 njëra nga gratë ka pasë një marrëveshje gojore me drejtorin e kaluar që ta avancojë në pozitë. Tash kam ardhë unë, kam kufizime ligjore”- tha Bujar Ejupi.

Deputeti Alban Bajrami tha: “… ajo ka kry trajnime për ketë pozitë, nuk e ka kërku pse ka pas marrëveshje, por pse ka kry trajnime”.

Raportimet e KALLXO.com lidhur më këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK