ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Amnesty International: Autoritetet në Kosovë po dështojnë ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje

Amnesty International përmes një komunikate për media ka thënë se Autoritetet e Kosovës po dështojnë ndaj viktimave të dhunës në familje, përkundër protestave të përhapura dhe thirrjeve për veprim pas një numri të madh të rasteve të femicidit viteve të fundit.

Raporti i titulluar, ‘Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje’, tregon si të mbijetuarat e dhunës në familje, shumica e të cilave janë gra dhe vajza, përballen me shumë pengesa në sigurimin e mbrojtjes, qasjes në drejtësi dhe mbështetje.

“Autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm në luftimin e dhunës në familje dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave dhe adresimin e prioriteteve të tyre. Për ta bërë këtë, është qenësore që autoritetet e Kosovës të përfshijnë të mbijetuarat në të gjitha proceset vendimmarrëse që kanë ndikim te to” – thuhet në komunikatë.

Lauren Aarons, Zëvendësdrejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Ekipit për Gjininë deklaroi se të mbijetuarat e dhunës në familje përballen me pengesa kur largohen nga situata abuzive.

“Përgjigjja e autoriteteve përqendrohet shumë në ndjekje penale. Në fakt, pothuajse të gjitha të mbijetuarat detyrohen të raportojnë dhunën në polici për të pasur qasje në strehimore. Njëherësh, nuk po bëhet mjaftueshëm për t’i mbështetur të mbijetuarat të jetojnë jetë të pavarur larg abuzimit. Të mbijetuarat nga grupet e margjinalizuara po ashtu po lihen në harresë”- deklaroi ajo.

Tutje, në raport theksohet se viteve të fundit autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa të shumtë në përforcimin e legjislacionit dhe përmirësimin e politikave për adresimin e nevojave të të mbijetuarave.

“Së fundi, në mars 2023, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të parë draftin e ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore. Ky ligj është në përgjithësi i harmonizuar me Konventën e Stambollit dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe përfshin politika gjithpërfshirëse kundër dhunës me bazë gjinore”- thuhet tutje në raport.

Megjithatë, Amnesty International ka gjetur zbrazëti të shumta në mbështetjen shtetërore që ofrohet për të mbijetuarat e dhunës në familje si dhe mungesë të veprimeve për përfshirjen e tyre në procese vendimmarrëse, që ka shkundur themelin e të drejtave të tyre.

“Këto zbrazëti përfshijnë pengesa në kompensim, në realizimin e të drejtave tjera ligjore si alimentacioni, si dhe shërbime joadekuate për të mbështetur të mbijetuarat pas largimit nga strehimorja. Të mbijetuarat po ashtu kanë treguar për paragjykime të dëmshme nga zyrtarët policorë, punëtorët socialë të mbingarkuar me punë, mbrojtës të viktimave të padobishëm apo që mungojnë dhe mungesë të informatave për të drejtat e tyre apo për mjetet dhe asistencën në dispozicion” – thuhet në raport.

Të mbijetuarat nga minoritet etnike si nga komunitetet serb, rom, ashkali, egjiptian nga Kosova, dhe të mbijetuarit/at LGBTI përballen me pengesa shtesë për shkak të formave të diskriminimit ndërthurës me të cilat përballen, theksohet në raport.

Pengesat në marrjen e mbështetjes

Sipas raportit të Amnesty International, gratë në Kosovë përballen me pengesa të theksuara socio-ekonomike që ia pamundësojnë të largohen nga situatat abuzive e të jetojnë një jetë të lirë nga frika dhe dhuna në periudhë afatgjatë.

“Në vitin 2017, vetëm 17% të grave në Kosovë kanë qenë të punësuara formalisht në krahasim me 50% të burrave, dhe në vitin 2021, vetëm 18% të pronës është zotëruar nga gratë në krahasim me 79% nga burrat. Përpos kësaj, gratë shpesh përjashtohen nga trashëgimia familjare dhe ndarja e pasurisë ndërmjet bashkëshortëve në procedura të shkurorëzimit ka prirje t’i dëmtojë ato”.

Sipas detajeve tjera në këtë raport, nëse të mbijetuarat tentojnë të largohen nga situatat abuzive, në rastin më të mirë ato marrin mbrojtje fillestare dhe mbështetje afatshkurtër, por pastaj lihen vetëm në përpjekjen për ta rindërtuar jetën e tyre, me ndihmë të pamjaftueshme për qasje në banim, kualifikim profesional apo punësim.

“Autoritet e Kosovës janë zotuar t’i vendosin të mbijetuarat në qendër të përgjigjes së tyre ndaj dhunës në familje. Tani ata duhet ta shndërrojnë këtë zotim në veprim. Kjo do të thotë ndarjen e burimeve të mjaftueshme, por po ashtu edhe dëgjimin e të mbijetuarave dhe atyre që punojnë me to, për zhvillimin e përgjigjeve gjithëpërfshirëse që respektojnë të drejtat e të mbijetuarave,” ka thënë Lauren Aarons.

Ana*, një e mbijetuar nga Prishtina, i ka thënë Amnesty International:

“Ajo çka institucionet duhet me ba është me i informu gratë hala pa ndodhë diçka, që nëse të ndodhë diçka, e ki derën hapun dhe e ki mbështetjen e shtetit. S’ki nevojë me u brengosë për fëmijë, s’ki nevojë me u brengosë për ku ke me shku… edhe nëse nuk të mbështetë familja, edhe nëse s’munesh me u kthy te shpia e babës, institucionet kanë me të mbështetë”.

Sipas raportit, fushatat informuese të sponsorizuara nga shteti përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në inkurajimin e të mbijetuarave t’i raportojnë rastet në polici. Por, kur ato shkojnë në polici, shpesh trajtohen me mosrespekt.

Të mbijetuarat i thanë Amnesty International se disa zyrtarë policorë shprehën mospajtim me vet faktin që ato kishin ardhur në polici, ndërsa të tjerë tentuan t’i bëjnë ato të ndihen në faj që po e raportonin abuzuesin.

Rishikimi nga Amnesty International i një mostre përfaqësuese të aktgjykimeve penale për raste të dhunës në familje tregoi se, gjykatat kurrë nuk i urdhëruan kryesit e dhunës t’i paguajnë viktimave kompensim në procedurë penale, pavarësisht se kishin fuqinë ligjore për ta bërë këtë.

Kosova është tronditur nga një varg i rasteve të femicidit viteve të fundit. Si kundërpërgjigjje ndaj këtyre vrasjeve, u mbajtën protesta me të cilat kërkohej drejtësi, dëmshpërblim, si dhe dënime në përputhje me ashpërsinë e veprës penale.

Me 14 mars 2021, Sebahate Morina u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Gjykata Kushtetuese më vonë konstatoi se autoritetet shtetërore dështuan ta mbronin Morinën, duke ia shkelur asaj të drejtën në jetë. Me 4 gusht 2023, burrat përgjegjës për vrasjen brutale të 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht 2021 u dënuan: Dardan Krivaqës iu dha dënimi me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, Arbër Sejdiut iu dha dënimi 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Njerëzit në Kosovë po dalin në rrugë për të kërkuar që të veprohet për të parandaluar vrasjen e më shumë grave. Autoritetet e Kosovës kanë një mundësi të artë ta bëjnë ndryshimin: t’i dëgjojnë të mbijetuarat dhe protestueset, të cilat i kanë zgjidhjet, dhe t’i mbajnë zotimet e tyre ligjore me veprime konkrete të nevojshme për ta t’i dhënë fund dhunës ndaj grave,” ka thënë Aarons.

*Emri u ndryshua për të mbrojtur identitetin.