Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AMF-të jo funksionale në Komunën e Lipjanit, premtohet zgjidhje deri në prill

Nga shtatë Ambulantat e Mjekësisë Familjare që ka Komuna e Lipjanit, dy nga to janë jo funksionale dhe një tjetër punon vetëm me një infermier/e.

Vendndodhja e njërës nga këto dy AMF është në fshatin Smallushë, ndërsa tjetra është në Banullë.

Përderisa, AMF-ja në të cilën punon vetëm me një infermiere gjatë pesë ditëve të javës gjendet në fshatin Babush.

Pse nuk janë funksionale këto AMF?

Arsyeja se pse AMF-ja në Smallushë dhe ajo në Banullë nuk janë në shërbim të qytetarëve dhe pse ajo e Babushit ka vetëm një infermier/e është pasi Komuna e Lipjanit mjekët që do duhej të ishin staf i AMF-ve është dashur t’i bëj staf të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Një vendim i tillë, sipas komunës, ka ardhur si rezultat i rritjes së shërbimeve për COVID-19 dhe i infektimeve me virus të stafit mjekësor.

Po ashtu, mos funksionaliteti i tyre është si rezultat i interesimit të vogël të qytetarëve për të marr shërbime mjekësore në to.

Kështu është njoftuar në disa përgjigje për KALLXO.com nga zyrtarja për informim në këtë komunë, Bukurie Zejnullahu.

“Dy AMF-të e lartcekura nuk janë në funksion për shkak të interesimit të vogël të qytetarëve për të marrë shërbime mjekësore në këto fshatra si dhe për shkak të kërkesës së madhe për staf mjekësor në QKMF në Lipjan”, ka thënë Zejnullahu për KALLXO.com.

E njëjta ka shpjeguar se ka pasur raste kur numri i personelit mjekësor që kanë qenë të infektuar me COVID-19 ka arritur deri në 37 persona.

“Ka pasur raste kur numri i personelit mjekësor të infektuar me COVID-19 dhe variantin omikron ka arritur deri në 37 persona dhe QKMF është dashur të siguroj ofrimin e shërbimeve”, ka thënë Zejnullahu.

Komuna premton zgjidhje

Për AMF-të jo funksionale të Komunës së Lipjanit, që në faqen zyrtare të komunës thuhet se ka 57 mijë e 605 banorë, është premtuar zgjidhje.

Sipas përgjigjeve të Zejnullahut deri në muajin prill puna në këto AMF do të riaktivizohet.

“Konsiderojmë që deri në muajin prill të këtij viti do të krijohen mundësitë për riaktivizim të këtyre AMF-ve”, ka thënë Zejnullahu.

Ajo ka njoftuar se komuna ka filluar procedurat për shpalljen e konkursit për rekrutim të tre mjekëve shtesë, në mënyrë që këta mjekë të ndihmojnë në mbulimin me staf edhe këto AMF.

Tutje është thënë se Komuna e Lipjanit do të provojë të gjejë ndonjë mënyre për të ngritur interesimin për pacientet që të marrin shërbim në AMF-të, që sipas tyre pritet të fillojnë me punë pas dy muajve.

Çfarë thotë opozita për këtë çështje?

Alban Salihu, shef i opozitës në Komunë e Lipjanit dhe asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për KALLXO.com se përpos AMF-ve në Banullë dhe Smallushë që janë jofunksionale edhe gjendja në AMF-të dhe QMF-të tjera në këtë qytet janë në gjendje jo të mirë.

Sipas Salihut, këto institucionet shëndetësore kanë shërbime të mangëta dhe jo të rregullt.

“Edhe QKMF në qytet është në gjendje jo të mirë, me aparatura tej mase të vjetruara, për çka edhe kemi ankesa të vazhdueshme nga qytetaret”, ka thënë Salihu për KALLXO.com.

Madje, Salihu ka thënë se edhe AMF-ja në Babush është jofunksionale.

“Konsiderojmë që AMF në fshatin Babush është pothuajse jo funksionale pasi që është e pamundur me vetëm një infermiere të ofrohen shërbimet e nevojshme për qytetarë”, është shprehur ai.

Shefi i opozitës së Komunës së Lipjanit ka thënë se është skeptik nëse kjo komunë do e mbajë premtimin për riaktivizimin e punës në AMF-të jo funksionale.

“Duke e pasur për bazë se sa në të kaluarën ka qenë prioritet shëndetësia për udhëheqjen komunale, jam shumë skeptik”, është shprehur asamblisti i LVV-së.

Ai ka thënë se grupi i asamblistëve të LVV ka reaguar për këtë çështje.

“Në seancën e fundit, asamblisti ynë Fadil Spahiu, ka reaguar për mosfunksionimin e AMF-së në fshatin Smallushë”, ka thënë Salihu duke shtuar se ky grup i asamblistëve ka kërkuar ngritje të buxhetit për shëndetësi dhe se kanë kritikuar ekzekutivin që, sipas Salihut, asnjëherë nuk e ka pasur shëndetësinë prioritet.

Institucionet shëndetësore të Lipjanit, udhëheqja e tyre

Kujdesi parësor shëndetësor në Komunën e Lipjanit është i organizuar në 12 institucione.

Afër qendrës së qytetit gjendet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

Ndërsa, Qendra të Mjekësisë Familjare ka në katër fshatra të qytetit. Në Magurë, në Shalë, Gadime dhe në Janjevë.

Brenda territorit prej 338.54 kilometra katrorë që mbulon qyteti i Lipjanit, janë shtatë AMF të cilat gjenden në Sllovi, Smallushë, Dobraj, Rubovc, Babush, Kraishtë dhe Banullë.

Partia qeverisëse në këtë komunë është Lidhja Demokratike e Kosovës, përderisa i pari i komunës është Imri Ahmeti.

Për Ahmetin ky është mandati i tretë që po e udhëheqë këtë qytet.

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovës, Ahemti ka siguruar fitoren pa balotazh.

I njëjti më 29 dhjetor të vitit të kaluar kishte emëruar drejtorët me të cilët do të qeverisë në katër vitet e ardhshme.

Në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale ishte emëruar Shkelzen Hajdini.

Hajdini ka qenë edhe deputet i Qeverisë së Kosovës nga radhët e LDK-së në vitin 2019 në kohën kur kjo parti kishte 31 ulëse në kuvend.

Ai në zgjedhjet nacionale të 2021-ës, kur LDK-ja kishte mbetur me vetëm 15 ulëse, nuk kishte arritur që të merrte pozitën e deputetit.