Foto:ZKM

Ambasadori i Francës konfirmon qëndrimin për shtim të angazhimit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me ambasadorin e Francës, Olivier Guérottë, të cilit i ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën franceze dhe me Francën.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se gjatë takimit u rikonfirmua gatishmëria e të dy shteteve, për të pasur më shumë prezencë të Francës në Kosovë.

“U rikonfirmua edhe gatishmëria e të dy shteteve, për të pasur më shumë prezencë të Francës në Kosovë, përfshirë edhe investitorët francezë, e duke theksuar potencialin e mërgatës nga Kosova. Në këtë drejtim, kryeministri potencoi se mirëpresim përfshirjen e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, si një aktor i rëndësishëm” – thuhet në njoftim.

Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e presidentit Macron, i bërë i ditur në qershor, për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai vlerësoi lart përfshirjen e ripërtërirë franko-gjermane në rajon, për procesin e Berlinit dhe për zgjidhjen e dialogut me Serbinë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këto procese, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, Ambasadori francez ka rikonfirmuar qëndrimin e Presidencës dhe Qeverisë franceze për shtim të angazhimit dhe rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti.

Tutje thuhet se në takim, u veçua edhe bashkëpunimi shkencor në misionin arkeologjik Francë-Kosovë, si dhe nisma e qershorit të kaluar me kryetarët e komunave, që duket premtues për sa i përket binjakëzimit dhe urave të ardhshme mes komunave dhe shteteve tona.