Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

Ambasadori i BE në Kosovë ngushëllon familjet e viktimave nga vërshimet në Pejë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka ngushëlluar familjet e viktimave nga vërshimet në Pejë.

Përmes një shkrimi në Twitter, Szunyog ka thënë se është thellësisht i pikëlluar nga tragjedia.

“I pikëlluar thellësisht nga humbja tragjike e dy jetëve nga përmbytjet në Pejë mbrëmë. Ngushëllime të përzemërta familjes së viktimave, shërim të shpejtë të lënduarve.Falënderoj për reagimet e para, Policinë dhe FSK-në” – ka shkruar ai në Twitter.

Dy persona kanë mbetur të vdekur nga vërshimet në qytetin e Pejës, të shtunën në mbrëmje. Viktimat janë një fëmijë 5 vjeçar, si dhe nëna e tij.

Fillimisht, nëna e fëmijës ishte raportuar si personi i zhdukur, përderisa pas gjetjes së saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe dy persona kanë mbetur të lënduar, si pasojë e vërshimeve.