Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Ambasadori gjerman flet për procesin zgjedhor të 6 tetorit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, gjatë një konference të organizatës ‘Demokracia në Veprim’, ka folur për procesin zgjedhor të 6 tetorit.

Heldt ka folur për vullnetarët e organizatave joqeveritare që kanë punuar ditën e zgjedhjeve dhe ka thënë që procesi në përgjithësi ka qenë i mirë.

“Duhet që të kthehemi edhe njëherë tek procesi i numërimit. Mendoj që ka qenë një proces i mirë. Kemi parë edhe shumë policë që kanë punuar, së pari falënderimi shkon te vullnetarët dhe OJQ-të që janë shpërndarë në gjithë vendin. Kam qenë në një qendër votimi në Mitrovicën Veriore dhe ajo çfarë kam parë ka qenë e mahnitshme”, ka thënë ambasadori gjerman.

Heldt gjithashtu tha se Kuvendi i Kosovës ka filluar zbatimin e disa rekomandimeve, por sipas tij ka ende mjaft detyra për t’u kryer.

“Mendoj që mbi të gjitha këto rekomandime nuk do të dallojnë nga ato paraprake të vitit 2017. Kuvendi i ardhshëm ka filluar të angazhohet brenda këtyre rekomandimeve. Shumë pjesë teknike të cilat i kemi pasur duhet të merren parasysh. Ka shumë detyra që na presin”, ka deklaruar Heldt.