Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori Rohde mirëpret miratimin në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve ndërkombëtare

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Ambasadori e ka cilësuar këtë si një lajm të mirë për Kosovën ngase, sipas tij, nga miratimi i këtyre marrëveshjeve do të përfitojë mbarë vendi.

“Më në fund drita jeshile për marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të arritura përmes konsensusit ndërpartiak sot në parlament. Nga këto do të përfitojnë njerëzit dhe mbarë vendi” – tha ambasadori gjerman.

Sot gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim pasi, sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.

Me 83 vota për ka kaluar Marrëveshja e financimit mes Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Europiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Me 83 vota për është votuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Me 83 vota për është votuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.

Me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashihen investime deri në 300 milionë euro.

Në anën tjetër, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, nuk ka kaluar pasi LDK-ja dhe AAK-ja e kundërshtuan.

 

Arrihet konsensusi, Kuvendi miraton marrëveshjet ndërkombëtare