Ambasadori amerikan në konak të LDK-së për marrëveshjen me Vetëvendosjen

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i ka shkruar sot në konak Isa Mustafës.

Siç e ka konfirmuar vetë LDK, ky takim temë kryesore kishte koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, thuhet në një njoftim të shkurtër të LDK-së për media.

Në këtë takim, përveç kreu të LDK-së ishin edhe nënkryetarët, Vjosa Osmani, Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Sot nuk dihet nëse do të ndodhë ndonjë takim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Gjatë javës së kaluar, dy shefat e partive të cilat dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, u takuan tri herë radhazi, por nuk u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshjen e cila do t’i caktonte edhe postet brenda ekzekutivit të ri kosovar.

Ndërsa, dje gjatë ditës, Kurti në një takim me kryetarët e degëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është në pritje të një përgjigjeje ndaj një propozimi të ri që ia ka bërë Isa Mustafës të enjten.

“Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi”, citohet të ketë thënë Albin Kurti.

“Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, thuhet tuje në komunikatën për media të LVV-së.

Sipas Kurtit, aktualisht asnjëra palë në negociata nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor nuk mund të kthehet mbrapa.

“Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, ka deklaruar Kurti dje gjatë ditës.