Ambasada gjermane deklarohet lidhur me shitjen e termineve për vizë

KALLXO.com para disa ditësh ka raportuar se qytetarë të shumtë kanë paguar deri ne 500 euro për sigurim të terminit për vizë në ambasadën gjermane në Kosovë.

Ditën e hënë, kur ishte hapur mundësia e aplikimit për vizë, sajti i kësaj ambasade nuk ka qenë në funksion për disa orë, duke u pamundësuar qytetarëve të caktojnë termine.

Lidhur me këtë, Zyra për Informim e ambasadës për KALLXO.com kanë thënë se, të hënën sistemi i terminëve nuk kanë qenë i qasshëm në gjithë botën.

Ata kanë thënë se për shkak të kërkesës së madhe për termine për nisje të punësimit, terminet për këtë kategori që kanë qenë në dispozicion për shtator janë rezervuar brenda një kohe të shkurtër.

“Sistemi i caktimit të termineve i Ministrisë së Jashtme Federale në mbarë botën të hënën nuk ka qenë i qasshëm për shkak të problemeve teknike. Mirëpo problemet kanë mundur të rregullohen pas disa orësh dhe për pasojë regjistrimet për termine kanë qenë sërish të mundura”, thuhet nga ambasada.

“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për nisje të punësimit sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor, terminet për këtë kategori që kanë qenë në dispozicion për shtator janë rezervuar brenda një kohe të shkurtër. Prandaj nuk ekziston më mundësia për t’u regjistruar për termin për muajin e ardhshëm”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës.

Mundësia e radhës për termine të kësaj kategorie, pritet të hapet në fillim të muajit shtator.

“Mundësia e radhës në këtë kategori për t’u regjistruar për një termin në tetor hapet në fillim të shtatorit. Përfaqësitë diplomatike gjermane në vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë do të publikojnë informacionet përkatëse në uebfaqet e tyre”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Nga ambasada, tutje është thënë se nuk kanë informacione për shitje të termineve.

Ata kanë potencuar se agjencitë e udhëtimeve nuk kanë qasje në më shumë termine.

“Ndonëse thashethemet na janë të njohura, ambasada deri tani nuk ka informata konkrete lidhur me rastet e tilla. Rezervimi i termineve nëpërmjet sistemit të termineve është gjithmonë falas. Të gjitha terminet që janë në dispozicion janë të dukshme në portalin përkatës dhe mund të rezervohen nga gjithsecili. Agjencitë, apo kompanitë e udhëtimeve nuk kanë qasje në më shumë termine, në terminet e mëhershme, apo në termine të tjera, të cilat janë në dispozicion dhe mund të rezervohen online nga secili edhe vetë”, thuhet tutje nga ambasada.

Ambasada potencon se, masat e sigurisë së sistemit pengojnë rezervim të termineve jo të personalizuara dhe shitjen e lirë të tyre.

“Parimisht masat e sigurisë së sistemit dhe proceseve të termineve të ambasadës e pengojnë rezervimin e termineve jo të personalizuara dhe me këtë edhe shitjen e lirë të termineve. Ndryshimet e mëvonshme të të dhënave për terminet e rezervuara nuk janë të mundura për shkak të mbrojtjes nga keqpërdorimi. Hyrja në zyrën e vizave për në termin iu lejohet vetëm personave, të dhënat e pasaportave të të cilëve përputhen me të dhënat gjatë regjistrimit të terminëve”, theksoi tutje ambasada.

Nga zyra për informim e ambasadës tutje theksohet se, të gjitha terminet duhet të jenë të personalizuara për një person konkret dhe të përmbajnë të dhëna personale korrekte. Ndryshimi i mëvonshëm i të dhënave as është i lejueshëm, as teknikisht i mundur.

Sipas ambasadës, për secilin person mund të rezervohet vetëm një termin. Sistemi caktimit të termineve i nënshtrohet standardeve të larta të sigurisë, të cilat administrohen në mënyrë të centralizuar në Gjermani.

Lidhur me pretendimet se ka shitje të termineve, ambasada thotë se nuk kanë marr ankesa apo informacion të cilin do mund ta ndjekin më tej.

Kurse, sa i përket vizave të lëshuara nga dita e hënë, ambasada thotë se këto të dhëna i publikon Ministria e Jashtme Federale.

Terminet për aplikim për vizë në ambasadën e Gjermanisë shiten nga 500 euro