Përfaqësuesi i ambasadës gjermane: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor

Në ditën e dytë të Samitit Paqes dhe të Demokracisë, përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë Matthias Conrad, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor.

“Ne duam t’i shohim të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE sa më shpejtë që është e mundur. Pa vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian nuk është i plotë” – tha ai gjatë Samitit të Paqes dhe Demokracisë.

Diplomati gjerman tha që vendi i tij është duke i mbështetur fuqishëm Kosovën në reformat e saj drejtë Bashkimit Evropian.

“Në këtë periudhë demokracitë e vogla po sfidohen, jo vetëm në nivelin global. Më duhet të theksoi se Gjermania dhe BE qëndrojnë fuqishëm të përkushtuara për t’i mbështetur vendet e rajonit për transformimet e nevojshme në rrugën e tyre demokratike” – tha tutje ai.

Kosova është një nga vendet të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

Autoritet kosovare zyrtarisht kanë dorëzuar aplikacionin për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar.