Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada amerikane për takimin e ambasadorit Hovenier me Edi Ramën: Shkëmbyen disa mendime

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është parë sot teksa po hynte në objektin e Kuvendit, përderisa kryeministri i Shqipërisë po mbante një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar se Hovenier ka zhvilluar një takim me Edi Ramën.

Nga Ambasada kanë thënë se Hovenier u nderua që pati mundësinë të shkëmbente mendime me kryeministrin Rama.

“Në përputhje me praktikën diplomatike, ambasadori Hovenier takohet shpesh me një gamë të gjerë zyrtarësh qeveritarë. Ambasadori u nderua që pati mundësinë të shkëmbente mendime me kryeministrin Rama”- ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës për KALLXO.com.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka vazhduar në Kosovë vizitën e tij zyrtare dyditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rama sot është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën sipas një komunikate për media, tema të diskutimit kanë qenë samiti i NATO-s, samiti i Procesit të Berlinit, dhe situata aktuale në Kosovë e rajon.

Më pas Rama është takuar me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Mirëpo një konfirmim për takim nga Kurti, Rama nuk e ka pasur publikisht. Rama pas takimit me kryeparlamentarin ka thënë se nuk mund të mbajë konferencë sepse nuk e ka homologun, duke iu referuar kryeministrit Kurti.

Rama gjatë së enjtes ka deklaruar se shpreson që pasdite të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, Kurti në një konferencë për media të mërkurën ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se për këtë mbledhje u patën bërë të gjitha përgatitjet dhe se 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, e të cilat marrëveshje tashmë kanë ngelur në sirtar.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët” – tha ai.

Ndër të tjera ai tha se i ka propozuar Ramës që meqë po vjen në këtë javë të mbajnë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive t’i nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.

Gjithashtu, të enjten Rama ka njoftuar se i janë dërguar Kosovës 13 marrëveshje të nënshkruara nga pala shqiptare, marrëveshje që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhje të qeverive.

Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se ka pasuar nënshkrim nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat, sipas komunikatës do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.

Më 13 qershor, kryeministri Rama kishte thënë se kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës një takim, por në një format më të ngushtë duke përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes.

“E kam njoftuar Kryeministrin Kurti. Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike”- tha ai.

Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka pasur një pajtim nga Kurti për ndryshimin e formatit të takimit.

Ai tha se shpreson që kjo të mos jetë përgjigja përfundimtare e kryeministrit Kurti.

Më 7 mars, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri shqiptar të enjten ka nisur një tur ballkanik, i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.

Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin