Albulena Haxhiu ndalon përdorimin e veturave zyrtare të Ministrisë jashtë orarit të punës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se dikasteri që ajo e udhëheq ka ndaluar përdorimin e veturave zyrtare jashtë orarit të punës.

Haxhiu përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se nga sot veturat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë do të përdoren vetëm sipas udhëzimit administrativ.

“Nën përcaktimin tonë si Qeveri që të ndalim “gjakderdhjet financiare” dhe reduktimin e shpenzimeve qeveritare, kam marr vendim për të shfuqizuar 24 vendime, lidhur me përdorimin e automjeteve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë jashtë orarit zyrtarë të punës. Nga sot veturat e Ministrisë së Drejtësisë, do të përdoren vetëm sipas procedurave të Udhëzimit Administrativ 03/2008. Si Ministre e Drejtësisë do të kujdesem deri në detaje që pasuria dhe paraja jonë publike të mos keqpërdoren ashtu siç ka ngjarë me pushtetet e kaluara”, ka shkruar Haxhiu.

Ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte reaguar pas publikimit të fotografive nga disa portale, në të cilat ajo shihet se si me veturë zyrtare ka shkuar të marrë fëmijën e saj në çerdhe.

Në reagim, ministrja Haxhiu ka thënë se është detyruar të shkojë nga puna për ta marrë djalin në çerdhe, sepse s’mund ta linte në çerdhe dhe meqë burrin nuk e kishte këtu. Ajo ka treguar se me fëmijën e saj është kthyer në zyrë për ta vazhduar punën.

Ministrja Haxhiu: E mora fëmijën në çerdhe dhe u ktheva me të në punë