Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu: Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat i opozitës

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka akuzuar sot institucionin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se është bërë aleat i opozitës.

Këtë deklaratë Haxhiu e bëri gjatë diskutimeve me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi në Komisionin Hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

Fillimisht, deputetja Musliu – Shoshi akuzoi se iniciativa e komisionit mund të jetë tentim për shndërrim të shtetit autokratik.

“Në demokracitë parlamentare këto iniciativa zakonisht vijnë nga opozita sepse nuk kanë besim në institucione, përveç nëse qëllim i këtij komisioni është që gjykatësit dhe prokurorët të merren në përgjegjësi për kryerjen e punës së tyre dhe kjo është tentim për shndërrim të shtetit nga demokratik në autokratik”- tha Musliu – Shoshi.

Ndërsa ministrja Haxhiu u përgjigj duke thënë se qeveria po bën reforma në drejtësi.

“Askush nuk e ka ndal opozitën të bëjë komisione hetimore. Unë jam thirrë nga PDK në interpelancë që nuk është mbajt kurrë. Është goditje e rëndë që Qeverinë me akuzu se po doni shtetin demokratik me kthy në autokratik. Ne po bëjmë reforma në drejtësi të cilat, Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat i opozitës”- tha ministrja Haxhiu.

“Fjala e saj e fundit e konfirmon se kjo tendencë është shndërrim në shtet autokratik dhe nuk kisha pas dëshirë ta dëgjoj nga ministrja” – shtoi tutje Musliu Shoshi.

Gjatë raportimit në komision, Haxhiu ka përmendur disa nga iniciativat në parandalimin e dhunës në familje dhe atë në baza gjinore.

Ministrja Haxhiu tha se fokusi është në parandalimin e këtyre rasteve.

“Në dy vite e gjysmë të fundit i është dhënë vëmendja institucionale dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Ne kemi miratuar strategjinë nacionale. Pas miratimit te kësaj strategjie kemi miratuar një sërë aktesh ligjore. Gjatë këtij viti kemi ndarë buxhet për strehimore rreth 900 mijë euro dhe është buxheti më i madh krahasuar me vitet e kaluara. Fokusin e kemi në parandalim” –  tha ministrja Haxhiu.