Albin Kurti: Qeveria e re u bë me shantazhe nga Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe në tubimin për 15 vjetorin e formimit të subjektit që drejton nuk la pa përmendur se qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti është qeveri e cila u krijua me shantazhe nga ana e Presidentit Hashim Thaçi.

“Qytetarë nuk kemi ende prokurori të guximshme që do ta vërtetonte hajninë e presidentit. Andaj ai u frikësua që gjyqi do të i bëhej në shesh. Që të mos e lëmë pa e zgjidhur, presidenti është hajn por jo  edhe shumë gjatë edhe ndonjë muaj. Ai do të shkoj dhe nuk do të mund të vjedh më. Ashtu sikurse sot që Njiazi Thaçi nuk mund të vjedh në KEK e as Bedri Istrefi në Telekom. Sic e dini ne nuk e kemi pranuar vendimin e gjykatës Kushtetuese sepse është vendim i padrejtë që fuqinë e qytetarëve e delegon te presidenti. Ai kishte shkelur kushtetutën në ora 1 pas mesnate shantazhonte deputetët. E kujt është kjo qeveri koti, kënd përfaqëson kjo qeveri koti. Kjo qeveri është zgjedhur për të bërë dëme e jo punë”, tha Kurti.

Ai shtoi se dëmet kanë filluar menjëherë.

“Dëmet i ka filluar, në ditën e dytë të punës hoqën reciprocitetin, heqja është nënshtrim ndaj Serbisë. Këta janë të kapur nga krimi e korrupsioni dhe janë të shantazhuar. Andaj dhe nuk e pranojmë heqjen e reciprocitetit sepse nuk e pranojmë shkeljen e sovranitetit. Njëjtë siç nuk e pranojmë ndarjen e Kosovës. Ne do të jemi në parlament e në shesh për të mbrojtur republikën. Marrëveshjet e Serbisë nuk i pranojmë dhe dialogu i nënshtruar ndaj Serbisë nuk e pranojmë”, shtoi ai.

Ai tha edhe se padrejtësitë ndaj Kosovës, qytetarët i dënojnë me votë.

“Më në fund ranë maskat e politikanëve të korruptuar. Tash kurrë s’ka qenë më lehtë me i nda politikanët e mirë dhe të kqi. Ne jemi popull i lashtë dhe i drejtë, ne kurrë nuk kemi pushtuar të tjerët por as nuk kemi pranuar nënshtrimin e të tjerëve. Ne jemi popull ilir dhe kemi luftuar për liri. Vendi ynë është i pasur me fusha pjellore, me njerëz të mirë. Këtu i kemi të parët tanë dhe këtu na rreh zemra fort. Prandaj duhet ta bëjmë shtetin që meritojmë. Ne vërtetë mund të jemi popullsi e varfër por jemi krenar. Jetojmë thjeshtë por me nderë, jemi të durueshëm por edhe falim por nuk durojmë padrejtësinë. Nuk durojmë kur në emrin tonë gënjejnë, prandaj e mira dhe e drejta mund të vonojnë por ato vijnë, por padrejtësia që u bë në mars të këtij viti është vetëm një episode e trishtë që qytetarët do ta kujtojnë në zgjedhjet e reja. Padrejtësitë i dënojmë me votë, shtetin e kapur e çlirojmë me votë. Unë sot jam i mbushur me shpresë se ditët më të mira janë para nesh se të rinjtë e kuptojnë që koha për ndryshim ka ardhur, që qytetarët që kërkojnë sistem shëndetësor e kuptojnë që koha për ta ka ardhur, askush  nuk e ndal një popull që kërkon ndryshim. Janë të panumërt ata njerëz që na kanë sjellë këtu si lëvizje”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim siç e ka quajtur paqësor, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e formimit të Vetëvendosjes.

Një numër i madh i zyrtarëve policorë janë parë rreth e rreth Qeverisë së Kovës. Të njëjtit janë angazhuar për të mbajtur rend gjatë tubimit.