Albin Kurti flet për testet për COVID-19, donacion nga Serbia

Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës, ka thënë se Serbia është befasuar nga trajtimi që qeveria e ka bërë për qytetarët e komunitetit serb në Kosovë.

“Me sa jam informuar nga ministri i shëndetësisë Vitia, Serbia ka besuar që qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje nuk do t’i testojë serbët (e Kosovës), dhe më pastaj janë befasuar për të mirë sesi ne nuk i kemi dalluar qytetarët në bazë të etnisë, dhe më pastaj ata kanë shprehur një lloj gatishmërie për rreth 1000 teste”, tha ai në TV Dukagjin.

Kurti tha që në këtë rast nuk do të ketë reciprocitet, përderisa theksoi se do të përdoren për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Testet nuk janë me reciprocitet do të thotë nuk kemi edhe ne nevojë të ju dërgojmë teste. Ishte gjest i vullnetit të mirë. Ato teste nuk do të jenë vetëm për serbët por për të gjithë. Në momentin që i kemi ato do të jenë në duart e organeve kompetente Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, tha ai.

Sot Serbia i ka dhuruar Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për coronavirus.

Serbia i dhuron Kosovës teste për COVID-19